Thu, Jul 31, 2025

Trump kërcënon Brazilin me tarifa deri në 50%, Lula i përgjigjet prerë: Nuk jemi koloni, do shesim ku paguajnë më shumë

  • PublishedJuly 30, 2025

Trump kërcënon Brazilin me tarifa deri në 50%, Lula i përgjigjet prerë: Nuk jemi koloni, do shesim ku paguajnë më shumë

Presidenti amerikan Donald Trump ka kthyer sytë nga Brazili, pas masave të forta tregtare ndaj Meksikës dhe aleatëve të tjerë, duke paralajmëruar tarifa deri në 50% për disa produkte braziliane. Lëvizja e fundit e Trump vjen në një moment kur marrëdhëniet SHBA–Brazil janë nën tension, me në qendër çështjen gjyqësore ndaj ish-presidentit Jair Bolsonaro, një prej aleatëve më të afërt të Trump.

Trump ka lënë të kuptohet se çdo negociatë tregtare me Brazilin do të kushtëzohet me trajtimin gjyqësor të Bolsonaros për nxitje grushti shteti, duke e kthyer një çështje ekonomike në presion politik.

Reagimi i Lulës dhe “karta kineze”

Presidenti aktual brazilian, Luiz Inácio Lula da Silva, reagoi ashpër ndaj paralajmërimeve nga Shtëpia e Bardhë.

“Brazili nuk është koloni dhe nuk do të ndjekë urdhrat e askujt”, deklaroi ai në një intervistë për The New York Times, duke sinjalizuar hapur një qasje më të orientuar drejt Kinës në rast të ndëshkimeve nga SHBA.

“Do të shesim atje ku paguajnë më shumë,” shtoi Lula, duke goditur drejtpërdrejt idenë se SHBA ka monopolin mbi tregun.

Ekonomia në shënjestër

Në vitin 2024, eksportet braziliane drejt SHBA-së kapën vlerën mbi 40 miliardë dollarë, kryesisht naftë, ndërsa SHBA ka një suficit tregtar prej 6.8 miliardë dollarësh ndaj Brazilit, falë eksporteve të avionëve, karburanteve dhe teknologjisë. Një tarifë 50% do të kishte ndikim të ndjeshëm në të dyja ekonomitë.

Trump dhe Bolsonaro: një aleancë politike, jo tregtare

Edhe pse lidhja personale mes Trump dhe Bolsonaros ka qenë e ngushtë, përplasjet tregtare mes dy vendeve nuk munguan as gjatë presidencës së tij. “Trumpi i Tropikut” nuk arriti të shmangte tarifat e vendosura ndaj produkteve braziliane, çka konfirmon se për Trumpin, interesat ekonomike mbizotërojnë ndaj marrëdhënieve personale.