Thu, Jul 31, 2025

Ulet rreziku për cunami në disa vende pas tërmetit të fuqishëm në gadishullin Kamçatka

  • PublishedJuly 30, 2025

Ulet rreziku për cunami në disa vende pas tërmetit të fuqishëm në gadishullin Kamçatka

Rusia dhe rajone të tjera kanë tërhequr paralajmërimet për cunami, pasi më herët gjatë së mërkurës gadishulli Kamçatka u godit nga një tërmet 8.8 shkallësh – një ndër më të fuqishmit ndonjëherë.

Tërmeti, që goditi gadishullin në Lindjen e Largët të Rusisë, shkaktoi cunami deri në katër metra, dëme në ndërtesa dhe nxiti paralajmërime dhe evakuime në mbarë Oqeanin Paqësor.

Valët e cunamit arritën në Rusi, Japoni, Havai dhe në brigjet perëndimore të Shteteve të Bashkuara.

Rreziku duket se është ulur në disa vende, me autoritetet në Havai dhe pjesë të Japonisë dhe Rusisë që kanë ulur nivelin e paralajmërimit për cunami. Megjithatë, në këto shtete kanë mbetur në fuqi këshillat për cunami, për shkak të rrezikut nga pasgoditjet.

Në Kamçatka, disa persona janë lënduar, ndërsa në një pjesë të madhe të bregdetit lindor të Japonisë – i cili ishte goditur rëndë në tërmetin dhe cunamin katastrofik të vitit 2011 – u urdhërua evakumi i popullatës.

“Tërmeti i sotëm ishte shumë serioz dhe më i fuqishmi në dhjetë vitet e fundit”, tha më herët gjatë së mërkursë guvernatori i Kamçatkës në një postim në Telegram.

Sipas ministrit rajonal për emergjenca, Sergei Lebedev, pas tërmetit është regjistruar një cunami me lartësi nga 3 deri në 4 metra.

“Të gjithë duhet të largohen menjëherë nga bregdeti”, theksoi ai në një video të shpërndarë në rrjetet sociale.

Sipas Degës Lokale të Institutit Gjeofizik të Akademisë së Shkencave të Rusisë, ky ishte tërmeti më i fuqishëm që nga viti 1952 në atë zonë. Ata e cilësuan tërmetin si një “ngjarje unike” në deklaratën e publikuar në Telegram.

Epiqendra ndodhej pranë zonës që u godit nga një tjetër tërmet më 20 korrik.

Shkencëtarët deklaruan se situata është “nën kontroll”, por paralajmëruan për pasgoditje që mund të zgjasin deri në një muaj dhe këshilluan qytetarët të shmangin zonat bregdetare për arsye sigurie.

Sipas Institutit Amerikan të Sizmologjisë, tërmeti ndodhi në një thellësi prej 19.3 kilometrash, rreth 125 kilometra nga Petropavlovsk, qytet me rreth 165.000 banorë në bregdetin e gjirit Avaça.

Ndërkaq, vullkani Kliuçevskoj në gadishullin Kamçatka ka nisur të shpërthejë pas tërmetit të fuqishëm. Lava ka dalë nga vullkani aktiv. Ky vullkan gjendet në 4.750 metra lartësi.

Japonia ul nivelin e alarmit për cunami

Japonia ka ulur nivelin e alarmit për cunami, që ishte lëshuar paraprakisht gjatë së mërkurës për pjesën veriore të shtetit.

Megjithatë, autoritetet kanë lënë në fuqi disa masa për pjesën bregdetare pas tërmetit të fuqishëm që goditi Lindjen e Largët të Rusisë.

Më herët gjatë ditës, Agjencia Meteorologjike e Japonisë kishte paralajmëruar për valë cunami deri në 3 metra përgjatë pjesës më të madhe të bregdetit. Televizioni publik NHK raportoi se mbi 1.9 milion persona ishin urdhëruar të evakuoheshin në vende të sigurta pasi valët filluan të godasin bregun.

Megjithëse valët ishin më të vogla sesa parashikimet fillestare, pati ndërprerje të trafikut në mbarë vendin.

Agjencia Japoneze për Menaxhimin e Zjarreve dhe Katastrofave konfirmoi se rreth 2 milionë banorë në 21 prefektura ishin nën urdhër evakuimi.

Punonjësit në centralin bërthamor të dëmtuar të Fukushimës u evakuuan gjithashtu të mërkurën, raportoi AFP.

Rreziku në SHBA “kalon krejtësisht”

Sekretarja amerikane për çështje të brendshme, Kristi Noem, tha se kërcënimi që një cunami i madh të godasë SHBA-në ka “kaluar krejtësisht”.

Duke folur në Kili, ku po zhvillon një vizitë zyrtare, ajo u tha gazetarëve se “tani jemi në një situatë të mirë. Ne kemi dislokuar ekipet e nevojshme dhe jemi në gjendje të përgjigjemi nëse është e nevojshme. Por, jemi mirënjohës që nuk kemi nevojë të përballemi me një situatë” të rëndë.

Ndërkaq, zyrtarët në Kaliforni kanë paralajmëruar njerëzit që të qëndrojnë larg brigjeve në qytetin Kreskent, që nga vitet ’30 janë vrarë 11 persona pas dhjetëra cunamesh.

Për dallim nga SHBA-ja, Kili ka rritur alarmin për cunami në nivelin më të lartë, pas tërmetit të fuqishëm në Paqësor.

Evakuime në Havai

Në Havai, u urdhërua evakuimi i disa zonave bregdetare.

“Largohuni menjëherë, priten cuname shkatërruese”, u tha në një deklaratë të Zyrës për Emergjenca në Honolulu.

Guvernatori i Havait, Josh Green, kërkoi qetësi dhe sjellje të përgjegjshme nga qytetarët.

“Ju lutem, qëndroni të qetë. Nëse jeni në zona të ulëta, shkoni menjëherë në vende më të larta”, tha ai. Ai shtoi se rrugët janë të mbushura dhe u kërkoi qytetarëve të bashkëpunojnë dhe të shmangin panikun, raportoi BBC.

Por disa orë më vonë, paralajmërimi për cunami që mbulonte Havain është ulur në një paralajmërim të nivelit të ulët, njoftoi Qendra e Paralajmërimeve për Cunami në Paqësor.

Sipas përditësimit të fundit, kjo nënkupton se ekziston rreziku për valë të fuqishme, përmbytje të vogla dhe rryma të forta, por nuk pritet që ndonjë cunami i madh të godasë zonën.

Drejtori i Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave në Havai, Stephen Logan, tha se personat e evakuuar mund të kthehen në shtëpi.

Qytetarëve iu bë thirrje që të lëvizin me kujdes, të ngasin ngadalë dhe të jenë të vëmendshëm ndaj përmbytjeve të mundshme në disa zona.

Filipinet, Meksika dhe Zelanda e Re thirrje për kujdes

Autoritetet filipineze këshilluan njerëzit të qëndrojnë larg plazheve dhe zonave bregdetare.

“Nuk mund të jenë valët më të mëdha, por ato mund të vazhdojnë për orë të tëra dhe të rrezikojnë njerëzit që notojnë në ujë”, tha për AP-në, Teresito Bacolcol nga Instituti i Vullkanologjisë dhe Sizmologjisë.

Marina e Meksikës paralajmëroi se valët e cunamit do të fillojnë të arrijnë bregun verior në Ensenada, pranë Kalifornisë, rreth orës 02:22 të mëngjesit të së mërkurës sipas orës lokale, dhe valët mund të përparojnë përgjatë bregut të Paqësorit deri në Chiapas, rreth orës 07:15 të mëngjesit.

Autoritetet në Zelandën e Re paralajmëruan për “rrjedha të forta dhe të pazakonta dhe valë të paparashikueshme” përgjatë të gjithë bregdetit të këtij shteti ishullor në Paqësorin Jugor. Agjencia e menaxhimit të emergjencave tha se njerëzit duhet të largohen nga uji, plazhet dhe zonat pranë porteve, marinave, lumenjve dhe deltave.

Tërmeti ishte më i forti që ka goditur këtë zonë në Gadishullin Kamçatka që nga viti 1952, sipas degës lokale të Sondazhit Gjeofizik të Akademisë Ruse të Shkencave.

Tërmeti me magnitudë 9.0, më 4 nëntor 1952, në Kamçatka shkaktoi dëme, por nuk pati viktima të raportuara, megjithëse shkaktoi valë prej 9.1 metrash në Havai.

Ata thanë se edhe pse situata “ishte nën kontroll”, ekzistonte rreziku i pasgoditjeve që mund të zgjasin deri në një muaj, dhe paralajmëruan që të mos vizitohen disa zona bregdetare.

Më herët në korrik, pesë tërmete të fuqishëm – më i madhi me magnitudë 7.4 – goditën në det pranë Kamçatka.

Tërmeti më i madh ishte në një thellësi prej 20 kilometrash dhe ndodhej 144 kilometra në lindje të qytetit Petropavlovsk./rel