Zyrtare/ Sadiku i jep drejtim të ardhmes, nënshkruan në Zvicër
Armando Sadiku i ka dhënë drejtim të ardhmes, teksa ka firmosur në Zvicër për skuadrën e Bellinzonës. Lojtari shqiptar dhe ekipi i ligës së dytë kanë gjetur akordin, teksa lajmi është bërë i ditur nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale.
“Armando Sadiku është lojtari i ri i Belinzonës. Belinzona ka kënaqësinë të mirëpresë një sulmues të vërtetë me përvojë ndërkombëtare: Armando Sadiku. I lindur në vitin 1991, sulmuesi shqiptar me një karrierë të pasur dhe të respektuar ka veshur fanellat e klubeve të njohura si Zyrih, Lugano, Legia Varshavës dhe Levante.
Ai ka luajtur në kampionatet e Superligës, Ekstraklasa, La Liga dhe në liga të tjera europiane, duke sjellë me vete eksperiencë, karizëm dhe më shumë se 30 ndeshje me Kombëtaren shqiptare, për të cilën ka shënuar në fazën e grupeve të Euro 2016, me një gol historik kundër Rumanisë. Fuqia fizike, instinkti i golit dhe mentaliteti fitues janë tashmë në shërbim të sulmit të skuadrës. Me të, Belinzona synon më lart. Mirë se erdhe në Belinzona, Armando!”, shkruhet në njoftimin e klubit.