Mon, Nov 10, 2025

Edhe Portugalia drejt njohjes së Palestinës! Vendimi pritet në OKB në shtator

  • PublishedJuly 31, 2025

Pas Francës, Britanisë dhe Kanadasë, edhe qeveria portugeze po shqyrton njohjen zyrtare të shtetit të Palestinës. Lajmi u konfirmua nga zyra e kryeministrit Luis Montenegro, që bëri me dije se vendimi do të diskutohet në bashkëpunim me presidentin dhe parlamentin e vendit.

“Portugalia po shqyrton njohjen e shtetit palestinez, brenda kuadrit të një procesi që mund të përfundojë gjatë javës së Asamblesë së 80-të të Përgjithshme të OKB-së në shtator”, thuhet në deklaratën zyrtare.

Qeveria thekson se shqyrtimi bëhet në kontekstin e një “zhvillimi jashtëzakonisht shqetësues të konfliktit”, ku përveç krizës humanitare, janë shfaqur edhe dyshime për një aneksim të mundshëm të territoreve palestineze nga Izraeli.

Presidenti Marcelo Rebelo de Sousa e konsideroi vendimin si rezultat i një procesi të kujdesshëm dhe të menduar, në bashkëpunim me partnerët evropianë dhe ndërkombëtarë.

Ndërsa Ministri i Jashtëm Paulo Rangel shtoi për transmetuesin publik RTP se:

“Ky është një vendim i bazuar në një mendim të pjekur”.

Lëvizja e Portugalisë vjen në të njëjtën linjë me vendet perëndimore që kanë paralajmëruar njohjen e Palestinës në shtator, si pjesë e presionit diplomatik ndaj Izraelit, mes krizës së rëndë humanitare në Rripin e Gazës dhe bllokimit të bisedimeve për armëpushim.