Ina Zhupa shpërthen pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për zonat e mbrojtura: Do e çojmë në Strasburg!
Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese që rrëzoi kërkesën e PD-së për shfuqizimin e ligjit të ri për zonat e mbrojtura, për shkak të ndarjes së votave 4 me 4 mes anëtarëve të trupës gjykuese.
Në një deklaratë publike, Zhupa e cilësoi këtë vendim si një “dredhi të turpshme” për të mos marrë përgjegjësi ligjore dhe për të ruajtur status quo-në e qeverisë. Ajo paralajmëroi se çështja do të çojë përpara Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, duke iu referuar çështjes “Marini kundër Shqipërisë” si precedent.
Sipas saj, ndarja e barabartë e votave po përdoret si manovër për të mos marrë vendime të qarta, gjë që bie ndesh me standardet europiane të sigurisë juridike dhe të drejtës për një vendim përfundimtar.
Në fund të reagimit, Zhupa falënderoi avokatët Marash Logu dhe Franci Nuri, si dhe organizatat mjedisore që sipas saj kanë kontribuar gjatë gjithë procesit me dokumente dhe argumente ligjore.
Reagimi i Ina Zhupës:
Dredhitë e Gjykatës Kushtetuese për të larë duart nga shkatërrimi që pret zonat e mbrojtura në Shqipëri nuk na ndalojnë!
Në Strasburg për mbrojtjen e vendit! Nga sot nuk kemi më zona të mbrojtura!
Ndarja 4 me 4, ku 4 gjyqtarët pranojnë që ka shkelje kushtetuese dhe 4 gjyqtarë mendojnë se nuk ka, con në rrëzimin e kërkesën dhe pse nuk ndajnë dot nëse është apo jo antikushtetues. Kjo barazi është përdor dhe në raste të tjera si dredhi për të vendosur pa vendosur, për të ruajtur status quo e qeverisë duke bërë sehir.
Kjo praktikë dënohet nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg ku në çështjen Marini kundër Shqipërise, 2007 shprehet se “ del në përfundimin se parashikimi për ndarjen e votave në mënyrë të barabartë nuk i shërben sigurisë juridike dhe mund të privojë ankuesin nga e drejta efektive për një vendim përfundimtar për kërkesën e tij drejtuar Gjykatës Kushtetuese”. Nuk mund të fshihen pas ligjit, ku ska asnjë arsye juridike dhe morale se përse katërshja që mendon se nuk ka shkelje duhet të prevaloj mbi katërshen që argumenton se ka shkelje?!
Për sa më lart do shkohet në Strasburg për të gjetur të drejtën e mohuar nga drejtësia shqiptare.
Është fatkeqësi për vendin që lënë në fuqi një ligj antikushtetues dhe dështim për Gjykatën Kushtetuese. Turpi i ngelet gjykatës, ne rrëzohemi pa u rrëzuar me dredhi që nuk respektojnë as standartet europiane.
Pavarësisht kësaj dua të falenderoj edhe organizatat mjedisore për pjesmarrje në çdo pjesë të procesit dhe që kanë pajisur me materiale gjykatën mbi standartet europiane të mbrojtura dhe nga konventat që bën pjesë Shqipëria. Gjithashtu falenderoj për punën e tyre dy avokatët e nderuar Marash Logu dhe Franci Nuri.
Zonat e mbrojtura do mbrohen, sepse i mbron kushtetuta dhe se ja kemi detyrim brezave të ardhshëm për ti lënë një Shqipëri më të mirë se sot dhe jo të betonizuar dhe të shkatërruar nga babëzia e klientëve të pushtetit.