Trajektorja e krimeve kibernetike, një shqetësim i shtuar për Policinë shqiptare

Në prill të këtij viti, Policia e Shtetit deklaroi se kishte zbuluar një skemë mashtrimi financiar me protagonist një 23 vjeçar me shtetësi franceze dhe me viktima qindra qytetarë shqiptarë. Sipas policisë, 23- vjeçari dërgonte linqe të rreme përmes mesazheve të kamufluara në emër të bankave të nivelit të dytë dhe pasi siguronte të dhënat bankare të qytetarëve, i përdorte ato për të përvetësuar paratë e tyre.
Hetimet zbuluan se krimi kibernetik i kapërcente kufijtë e vendit, pasi autori i kishte nisur mesazhet nga Franca dhe kishte udhëtuar më pas drejt Shqipërisë për të tërhequr paratë nga llogaritë e përfituara përmes mashtrimit.
Pas denoncimit të qytetarëve, i riu francez u arrestua me akuzat e “mashtrimit kompjuterik” dhe “ndërhyrjes në të dhënat kompjuterike”. Por ai është vetëm një nga qindra rastet që denoncohen çdo vit në policinë shqiptare për grupin e veprave penale që klasifikohen si krime kibernetike.
Sipas të dhënave që Policia e Shtetit vendosi në dispozicion të BIRN, “falsifikimi kompjuterik” renditet në krye të listës së krimeve kibernetike në Shqipëri, i ndjekur nga “ndërhyrja në të dhënat kompjuterike” dhe “mashtrimi kompjuterik”.
Gjatë vitit 2024, Policia e Shtetit mori 461 kallëzime për veprën penale të “falsifikimit kompjuterik”, 344 kallëzime për “ndërhyrje në të dhënat kompjuterike” dhe 108 të tjera për veprën e “mashtrimit kompjuterik”. Një numër më i ulët kallëzimesh u regjistruan për vepra penale që lidhen me kërcënime raciste apo ksenofobike online, hyrja e paautorizuar kompjuterike apo përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike.
Të dhëna statistikore të ngjashme paraqiten dhe në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm, ndërsa në SPAK janë regjistruar vetëm dy kallëzime për krime kibernetike në vitin 2024 dhe një tjetër në 2025-ën.
Kodi Penal ofron parashikime të ngjashme për krime të ndryshme kibernetike dhe sanksionon dënime që fillojnë me gjobë deri në gjashtë vite burgim.
Vepra penale e “mashtrimit kompjuterik” ka të bëjë me futjen, ndryshimin, fshirjen ose heqjen e të dhënave kompjuterike me qëllim për t’i siguruar vetes apo të tretëve nëpërmjet mashtrimit, një përfitim ekonomik të padrejtë. Kur kryhet në bashkëpunim dhe në dëm të disa personave, më shumë se një herë e me pasoja të rënda materiale, kjo vepër penale dënohet deri në 15 vite burgim.
Drejtoresha e Hetimit të Krimeve Kibernetike në Policinë e Shtetit, Ervina Gjana i tha BIRN se pjesa më e madhe e krimeve kibernetike kanë të bëjnë drejtëpërdrejt me keqpërdorimin e të dhënave personale të qytetarëve, kryesisht në rrjetet sociale. Ajo theksoi gjithashtu se një pjesë e krimeve kibernetike po targetojnë biznese të caktuara me qëllim dëmtimin e reputacionit të tyre përmes publikimeve të pavërteta apo komenteve të manipuluara.
“Këto veprime përbëjnë jo vetëm shkelje të rënda ligjore, por ndikojnë drejtpërdrejt në cenimin e jetës private dhe të imazhit publik të individëve apo subjekteve tregtare,” tha Gjana për BIRN.
Gjana nënvizon gjithashtu se ndër krimet më shqetësuese janë falsifikimi dhe keqpërdorimi i të dhënave personale dixhitale, mashtrimet online për përfitim financiar, hyrja e paautorizuar në sisteme shtetërore dhe private, si dhe përhapja e përmbajtjes së paligjshme në rrjet, si materialet e dhunshme ose përmbajtjet personale pa leje.

“Këto krime dëmtojnë sigurinë e informacionit, besueshmërinë e institucioneve dhe mbrojtjen e qytetarëve në mjedisin dixhital,” shtoi ajo.
Ndërsa po konkurrojnë statistikisht me krimet në botën reale, krimet kibernetike vlerësohet se cënojnë sigurinë e të dhënave personale dhe institucionale, krijojnë pasiguri te qytetarët, dëmtojnë besimin në shërbimet publike dhe financiare, si dhe ndikojnë negativisht në imazhin e vendit. Gjithashtu, ato shkaktojnë humbje ekonomike, nxisin dezinformim dhe mund të përdoren për qëllime të paligjshme që cenojnë rendin dhe sigurinë publike.
Shefja e hetimit të Krimeve Kibernetike shpreh shqetësimin se këto krime janë kthyer tashmë në një rrezik serioz edhe për fëmijët përmes ngacmimit apo bullizmit në rrjetet sociale, ekspozimit ndaj përmbajtjeve të papërshtatshme apo mashtrimit.
“Pasojat për fëmijët mund të jenë të rënda, si ankth, depresion, izolim social, cenim i privatësisë, dhe në raste ekstreme, vetëlëndim apo tentativa për vetëvrasje,” thotë Gjana, ndërsa shton se nevojitet bashkëpunimi mes prindërve, mësuesve dhe institucioneve shtetërore për adresimin e këtyre fenomeneve.
Gjana vëren se shumë nga këto krime mund të parandalohen nëse individët zbatojnë masa të thjeshta mbrojtëse si, mosndarja e fjalëkalimeve; përdorimi i fjalëkalimeve të forta dhe unike; mosklikimi në lidhje apo materiale të dyshimta apo aksesimit të rrjeteve të sigurta gjatë transfertave bankare.
“Kujdesi në përdorimin e teknologjisë dhe edukimi digjital janë mjete të domosdoshme për të parandaluar rreziqet kibernetike,” theksoi ajo.