Trump ka urdhëruar ndërtimin e një salle të re pritjesh në Shtëpinë e Bardhë, nis në shtator dhe kushton 200 milionë dollarë
Presidenti amerikan Donald Trump ka urdhëruar ndërtimin e një salle të re pritjesh në krahun lindor të Shtëpisë së Bardhë, një projekt ambicioz që nis në shtator dhe pritet të kushtojë 200 milionë dollarë.
Sipas Caroline Leavitt, zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë, fondet do të mbulohen nga vetë Trump dhe donatorë privatë. Gjatë ndërtimit, stafi i vendosur në këtë pjesë – përfshirë edhe ekipin e Zonjës së Parë Melania Trump – do të zhvendoset përkohësisht.
Salla e re do të akomodojë deri në 650 të ftuar të ulur, trefishi i kapacitetit aktual të “East Room”, që është hapësira më e madhe aktualisht në dispozicion për evente zyrtare dhe pritje shtetërore.
“Shtëpia e Bardhë nuk ka një sallë të denjë për madhështinë e vendit,” ka deklaruar më herët Trump, duke kritikuar hapësirat ekzistuese për ngjarje të mëdha.
Ky investim i ri synon të modernizojë infrastrukturën dhe të rrisë kapacitetin ceremonial të selisë presidenciale.