Vendi i tretë anulon klauzolën, Verstappen mbetet te Red Bulli
Fati dukej se po e çon te Maks Vershtape nin larg Red Bullit, në një sezon ku dominimi i MekLaren pothuajse me siguri do ta pengojë atë të ruajë statusin e kampionit të Botës në Formula 1, ndërsa nga ana tjetër klima në skuadër ishte gjithçka përveçse paqësore.
Duke shtuar edhe faktin që Toto Volf ishte shprehur se ishte i gatshëm të bënte gjithçka për ta pasur te Mercedes në vitin 2026. Pra të gjithë përbërësit ishin aty për një ndarje mes SuperMaksit dhe ekipit anglo-austriak. Por më pas erdhi pika e kthesës, duke nisur nga shkarkimi i Kristian Hornerit dhe tashmë së fundmi me daljen në skenë të një pike të klauzolës së kontratës me Red Bullin.
KLAUZOLA – Në kontratën e tij me Red Bullin, piloti holandez ka pasur një opsion lirimi të parakohshëm. Por, tashmë holandezi nuk do të jetë më në gjendje të aktivizojë klauzolën e performancës në kontratën e tij, opsionin që do ta kishte lejuar atë të largohej nëse do të gjendej jashtë tre vendeve të para në mesin e këtij kampionati, para se të shkohet në pushimet verore. Me 185 pikë, kur ka mbetur edhe gara e Hungarisë para se të shkohet me pushime, Vershtapen e ka të sgurt vendin e tretë, pasi Xhorxh Rasëll ndodhet në kuotën e 157 pikëve në vendin e katërt. Një frymëmarrje lehtësuese për Red Bullin, skuadër që sigurisht nuk mund të përballonte të humbiste fenomenin e tij tani, në prag të revolucionit në rregullore.
MARKO – Në prag të fundjavës së Hungarisë, konsulenti i Red Bullit, Helmut Marko, konfirmoi së Vershtapen do të mbetet edhe sezonin e ardhshëm në radhët e ekipit austriak. “Po, mund të konfirmoj se Maks Vershtapen do të garojë për Red Bull në vitin 2026”, tha shkurtimisht Marko për “Sky Germany” para nisjes për GP-në hungareze. Marko, siç dihet është një konsulent prej kohësh në ekipin austriak dhe një njeri shumë i afërt me Vershtapenin. Pas garës së kaluar në Belgjikë, edhe vetë piloti holandez u shpreh se nuk donte më të largohej nga ekipi me të cilin ka fituar 4 titujt e tij në F1: “Qëllimi im është të qëndroj me Red Bull”, ishte komenti nga Vershtapenin në Spa. Nga ana tjetër, shkarkimi i Kristian Horner në mënyrë indirekte “konfirmoi” dyshen fituese të pandërprerë të kampionatit nga viti 2021 deri në vitin 2024. Gjithashtu, edhe kthesa në qëndrim e Toto Volfit, i cili kishte lënë të kuptohej gjithashtu se mbërritja e Vershtapenit te Mercedes nuk ishte e realizueshme, duke konfirmuar dyshen Rasëll-Antoneli edhe për vitin 2026.