Plagosën me thikë një 42-vjeçar në Shkodër, arrestohen dy vëllezër! Viktima jashtë rrezikut për jetën
Dy vëllezër janë arrestuar nga Policia në Shkodër pasi akuzohen se kanë plagosur rëndë një 42-vjeçar gjatë një konflikti për motive të dobëta.
Në pranga kanë rënë Bledar Bylykbashi, 38 vjeç, dhe Bujar Bylykbashi, 41 vjeç, të cilët sipas uniformave blu, goditën me thikë dhe sende të forta shtetasin B. B., 42 vjeç, në lagjen “Tre Heronjtë”. I plagosuri ndodhet në spital, por fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën.
Nga vendngjarja u sekuestrua në cilësinë e provës materiale mjeti prerës (thikë) i përdorur në konflikt. Hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë, ndërsa ndaj dy të arrestuarve rëndojnë akuzat për “Plagosje e rëndë me dashje” kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.
Në një tjetër rast, në fshatin Nderlysaj të Thethit, u arrestua një 25-vjeçar me inicialet F. Th., i cili goditi me thikë një 28-vjeçar gjatë një konflikti. Edhe në këtë rast, viktima ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë përkatëse për veprime të mëtejshme.