Sat, Aug 2, 2025

Rama për Kodin e Ri Penal: Drafti nuk është i qeverisë, është hartuar nga ekspertë të pavarur!

  • PublishedAugust 1, 2025

Rama për Kodin e Ri Penal: Drafti nuk është i qeverisë, është hartuar nga ekspertë të pavarur!

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për polemikat mbi draftin e ri të Kodit Penal, duke sqaruar se ai nuk është hartuar nga Ministria e Drejtësisë apo nga Këshilli i Ministrave, por nga një grup i pavarur ekspertësh, të udhëhequr nga drejtori i Shkollës së Magjistraturës, prof. Arben Rakipi.

Në një postim në rrjetet sociale, Rama iu drejtua shoqatave të gazetarëve që kanë ngritur shqetësime për lirinë e shtypit, duke u kërkuar të mos ngrenë alarme të panevojshme.

Ministria e Drejtësisë dhe Këshilli i Ministrave nuk kanë marrë pjesë në hartimin e draftit. Ne jemi një nga palët në këtë proces dhe aktualisht jemi duke e studiuar materialin,” tha Rama.

Sipas tij, të gjitha palët, përfshirë shoqatat mediatike, kanë kohë të mjaftueshme për të analizuar draftin dhe për të paraqitur qëndrimet e tyre përballë grupit të ekspertëve.

Ky është një proces demokratik dhe transparent. Pas konsultimeve, drafti i rishikuar do t’i dërgohet Komisionit Europian për miratim, përpara se të shkojë në Kuvend,” përfundoi Rama.

Postimi i kryeministrit Rama: 

Shoh që disa shoqata gazetarësh na kanë bërë një thirrje urdhëruese për të ndërhyrë urgjentisht në draftin e Kodit të Ri Penal, çka tregon se ata që duhet të informojnë publikun për procesin e saponisur të diskutimit të këtij drafti nuk e kanë kuptuar akoma (edhe pse u tha shumë qartë nga ministri i drejtësisë) se Ministria e Drejtësisë dhe Këshilli i Ministrave, nuk kanë marrë pjesë në hartimin e draftit po ia kanë besuar një grupi ekspertësh të nderuar, nën udhëhehjen e Drejtorit të Shkollës së Magjistraturës, Profesor Arben Rakipit.

Kështu, hëpërhë qeveria është thjeshtë njëra nga shumë palët në këtë proces dhe e kemi marrë e po e studiojmë draftin, për të ballafaquar më pas qëndrimet tona me ato të grupit të ekspertëve, gjë që ua sugjerojmë edhe shoqatave të alarmuara për lirinë e shtypit, të cilat në këtë fazë, në vend se të alarmohen duhet të ndjehen shumë të lehtësuara e të respektuara, sepse kanë të gjithë kohën e nevojshme për ta studiuar e pastaj ballafaquar draftin e Kodit të Ri Penal me grupin e punës, njësoj siç do të bëjë qeveria e siç duhet të bëjnë të tëra palët e interesuara – sidomos ato brenda sistemit, të cilat në vend se të japin deklarata sa të nxituara aq edhe qesharake për shtyp, bëjnë mirë të ulen me grupin e ekspertëve dhe të ballafaqojnë opinionet e tyre.

Ky është një proces demokratik dhe transparent, ku kush do të kontribuojë për një Kod të Ri Penal për Shqipërinë 2030 në BE i ka rrugët e hapura e të gjithë kohën e nevojshme, ndërsa kush do të bëjë zhurmën e vet mund ta bëjë, se demokracia i ka edhe zhurmuesit e vet, po s’mund të thotë dot që s’na pyeti kush.

Pasi të bëhen të gjitha ballafaqimet e grupit të punës me të gjitha palët e interesuara dhe në pavarësi të plotë nga qeveria, Ministria e Drejtësisë do ta marrë draftin e rishikuar e do ta konsultojë natyrisht edhe me Komisionin Europian, sepse pa vulën e Brukselit drafti nuk shkon dot në parlament!

Kështu që miq të shoqatave të shtypit rrini të qetë se nuk ju vjen dot asnjë e keqe nga Kodi i Ri Penal, në Shqipërinë që po shkon në BE dhe jo në BRSS