“Thyen” tabunë në Evropë, tani Egnatia sfidon Olimpija Lubjanën
Egnatia vijon të shkruajë historinë, këtë herë në Evropë, me ekipin e Tetovës që për herë të parë arrin të kaloj një turn në kompeticionet e UEFA-s. Kampionët e Shqipërisë ishin perfekt në Conference League, kaluan pa shumë probleme një rival me shumë eksperiencë si Dinamo Minsk duke “fluturuar” në turin e tretë të Confernece League, aty ku do të përballen me Olimpija Lubjanën, gjigandët e futbollit slloven. Pas suksesit të pastër 0-2 në transfertë, Egnatia triumfoi edhe në ndeshjen e kthimit në shtëpi, këtë herë me rezultatin 1-0.
Ekipi i Tetovës nuk e vendosi ndeshjen dhe kualifikimin për asnjë moment në dyshim, për më tepër nuk hoqën dorë nga filozofia e tyre e lojës, pavarësisht se Dinamo i trembi jo pak në start ku pas vetëm 8 minutash lojë, pas një rrëmuje në zonë, flirtuan me golin e avantazhit. Të shtyrë dhe nga publiku, Egnatia mori shpejt kontrollin e lojës, ku në minutën e 17-të Ildi Gruda i vetëm përballë portierit nuk arriti të gjejë kuadratin. Rrogozhinasit shtuan presionin në zonën e Dinamo Minsk, por as Regi Lushjka nuk ishte i saktë, me mesfushorin që provoi në dy raste të gjente kuadratin, por pa sukses.
Historia e këtij takimi nuk ndryshoi as në fraksionin e dytë, ku sërish Egnatia kishte fjalën e parë, por Gruda në një mbrëmje jo të mirë, nuk arriti të ishte konkret në zonë, në minutën e 49-të shpërdoroi një rast të pastër i vetëm përballë portierit. Në këtë sfidë bëri pjesën e tij edhe portieri Dajsinani, me këtë të fundit që u shndërrua në protagonist në minutën e 59-të duke shmangur një rast të pastër në zonë.
Më në fund, pas disa përpjekje, për të mbyllur llogaritë me bjellorusët mendoi Selmani i cili me një goditje fantastike në kufijtë e zonës së rreptësisë realizoi një super gol duke i dhuruar avantazhin Egnatian, rezultat që mbeti i pandryshuar deri në fund duke e kthyer në festë këtë mbrëmje historike për kampionët e Shqipërisë.
Pasi “thyen” një tabu të fortë, pasi kaluan në raundin e tretë, Egnatia nuk dëshiron të ndalet edhe pse shorti në këtë fazë i ka rezervuar një tjetër pengesë të fortë, si Olimpja Lubjana.
()