Sat, Aug 2, 2025

“Vepra e tij, gur themeli për ndërtimin e identitetit tonë kombëtar” – Kryeparlamentarja Spiropali nderon Ndre Mjedën: Një prej figurave më të ndritura të Rilindjes Kombëtare

  • PublishedAugust 1, 2025

“Vepra e tij, gur themeli për ndërtimin e identitetit tonë kombëtar” – Kryeparlamentarja Spiropali nderon Ndre Mjedën: Një prej figurave më të ndritura të Rilindjes Kombëtare

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, ka nderuar sot figurën e Dom Ndre Mjedës, në përvjetorin e ndarjes së tij nga jeta, më 1 gusht 1937. Në një postim në rrjetet sociale, Spiropali e cilëson Mjedën si një prej figurave më të ndritura të Rilindjes Kombëtare, që i dha gjuhës dhe kulturës shqipe “forcë, bukuri, pasuri e dinjitet”.

“Vepra e Ndre Mjedës është një gur themeli në ndërtimin e identitetit tonë kombëtar,” – shkruan Spiropali.

Ajo e përshkruan Mjedën si një zë zgjues të ndërgjegjes kombëtare, mbrojtës të rrallë të gjuhës shqipe dhe atdhetar me zemër të lartësuar nga idealet e dijes dhe lirisë.

Ndër të tjera, kryeparlamentarja kujtoi rolin e Ndre Mjedës si anëtar i Komisionit për hartimin e alfabetit të njësuar të gjuhës shqipe, gjatë Kongresit të Manastirit në vitin 1908, si dhe kontributin e tij si mësues, poet, përkthyes dhe klerik.


Postimi i Spiropalit: 

Sot nderojmë kujtimin e Dom Ndre Mjedës, larguar nga kjo jetë më 1 gusht 1937, një prej figurave të ndritura të Rilindjes Kombëtare, që i dha kulturës dhe gjuhës shqipe forcë, bukuri, pasuri e dinjitet.

Vepra e Ndre Mjedës është një gur themeli në ndërtimin e identitetit tonë kombëtar, një zë zgjues i ndërgjegjes së shtypur të shqiptarëve, një mbrojtës si rrallëkush i kulturës dhe i gjuhës sonë.

Si mësues, poet, përkthyes, klerik dhe atdhetar, me mendje të ndritur e zemër të naltësuar prej idealeve të shqipes, dijes e lirisë, Ndre Mjeda i shërbeu me dashuri kombit dhe kulturës shqiptare.

Ndre Mjeda ishte anëtar i Komisionit për hartimin e alfabetit të njësuar të shqipes, në Kongresin e Manastirit, në vitin 1908.

Trashëgimia e Ndre Mjedës mbetet e gjallë edhe përmes vargjeve të Tij plot muzikalitet, elegancë e atdhedashuri:

Nji kto gjuhë që jam tue ndie,

jan’ të bukra me themel,

por prap’ kjo, si diell pa hije,

për mue t’tanave iu del.