Zbutet masa për kryebashkiakun e Tropojës, GJKKO e liron nga arresti shtëpiak! Detyrim paraqitjeje një herë në muaj
Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lehtësuar masën e sigurisë për kryetarin e Bashkisë Tropojë, Rexh Byberi, dhe nënkryetarin Abedin Kërrnaja, të cilët ishin në arrest shtëpiak.
Tashmë, për të dy është caktuar masa e “detyrimit për paraqitje” një herë në muaj. Vendimi u mor pasi mbrojtja argumentoi se afati 6-mujor i arrestit kishte skaduar, duke u referuar si precedent çështjes së Mimoza Margegajt në Gjykatën Kushtetuese.
Byberi dhe Kërrnaja po hetohen nga SPAK për “shpërdorim detyre” dhe “prerje të paligjshme të pyjeve”, lidhur me ndërtimin e një rruge 3.2 kilometra në territorin e Bashkisë Tropojë, që sipas hetimeve është kryer në mënyrë të paligjshme.
Prokuroria sqaron se gjatë punimeve nuk është përdorur sistemi elektronik “e-leje”, siç kërkohet për ndërtimet publike nga njësitë vendore. Po ashtu, mungon bashkëpunimi me Agjencinë Kombëtare të Mjedisit për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis, si dhe nuk ka pasur koordinim me ministrinë përkatëse, për të vlerësuar impaktin e ndërhyrjes.
Gjykata ka kërkuar nga Prokuroria që të merren në pyetje ekspertët teknikë, që kanë përcaktuar dëmin mjedisor dhe ekonomik të shkaktuar nga ndërhyrja.
Hetimet vijojnë, ndërsa të dy zyrtarët lokalë do të përballen me drejtësinë në gjendje të lirë