Broja te Bërnli, sulmuesi ngjitet në podiumin e transferimeve më të shtrenjta të futbollistëve të Kombëtares
Armando Broja do të kryejë këtë fundjavë vizitat mjekësore me skuadrën e Bërnlit dhe do të firmosë një kontratë pesëvjeçare me klubin e Premier Ligës, duke finalizuar një transferim përfundimtar nga radhët e Çelsit.
Ky transferim i jep fund kalvarit të gjatë të sulmuesit i cili është dhënë vazhdimisht në huazim nga Çelsi në këto vite, të ndërprera edhe nga dëmtimet e njëpasnjëshme që e lanë për një periudhë të gjatë jashtë fushave të lojës. Sipas mediave angleze, Bërnli ka pranuar të paguajë një shifër të konsiderueshme për sulmuesin 23-vjeçar, rreth 20 milionë euro sipas mediave britanike.
Kjo e vendos Brojën menjëherë mes transferimeve më të shtrenjta të futbollistëve të Kombëtares shqiptare, më saktësisht, në vendin e dytë të këtij klasifikimi.
Vendi i parë i përket kalimit të Marash Kumbullës nga Verona te Roma, për shifrën 26,5 milionë euro që kanë paguar verdhekuqtë për mbrojtësin e Kombëtares shqiptare. Nëse konfirmohen shifrat e transferimit të Brojës, atëherë ai lë pas atë të Asllanit nga Empoli te Interi, për të cilin në total zikaltrit paguan 15,7 milionë euro mes klauzolash të ndryshme.
Ndërkohë, jashtë podiumit mbetet transferimi për 12 milionë euro i Uzunit te Austrin FC në MLS si dhe ai për 10 milionë euro i Muçit te Beshiktashi, të cilët plotësojnë pesëshen e futbollistëve të Kombëtares shqiptare që kanë janë transferuar mbi shifrën 10 milionë euro.