Ervin Bulku sqaron deklaratën e tij: Jam keqinterpretuar, s’kam mbështetur asnjë kundërshtar të Dinamos
Ish-futbollisti i njohur i Kombëtares Shqiptare, Ervin Bulku, ka reaguar pas zhurmës së krijuar nga një artikull i publikuar në mediat kroate, i cili, sipas tij, ka deformuar qëllimin e një interviste të dhënë për sfidën mes Hajduk Split dhe Dinamo Zagreb.
Në artikullin e përmendur, Bulku akuzohej se kishte mbështetur Hajdukun, rivalin e klubit kroat që drejtohet nga trajneri shqiptar Ilir Daja. Ky interpretim ka shkaktuar pakënaqësi tek tifozët e Dinamos, madje edhe bordi i klubit ka reaguar zyrtarisht. Për të sqaruar situatën, Bulku ka publikuar një deklaratë në rrjetet sociale, ku thekson se lajmi i shpërndarë është i pavërtetë dhe i bazuar në një titull manipulues:
“Një titull abuziv dhe që nuk është shkëputur në asnjë pjesë të një interviste për mediat kroate, ka krijuar një atmosferë surreale në opinionin tonë sportiv. Nuk do të kisha reaguar, sepse çdo media, para se të bjerë në batakun e gënjeshtrave, do të kishte kërkuar minimalisht të lexonte të plotë intervistën time.”
Më tej, ai shton se:
“Në atë prononcim kam përcjellë ndjenjat e mia të ngrohta për periudhën që isha pjesë e atij klubi, kujtimeve shumë të mira që kanë lënë disa futbollistë shqiptarë në të kaluarën… si dhe marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve tona.”
Bulku sqaroi gjithashtu se, ndonëse ka bërë një analizë teknike ku ka veçuar Hajdukun si skuadër favorite, nuk ka shprehur asnjëherë dëshirë që kjo skuadër të fitojë ndaj Dinamos:
“Kam bërë gjithashtu një vlerësim teknik të të dyja skuadrave, ku kam veçuar Hajdukun si favorit, por në asnjë rast pa cituar që në duelin Hajduk-Dinamo dua fitoren e Hajdukut. Ky reagim vjen pasi në rrjetën e mashtrimit të një titulli abuziv ra edhe faqja zyrtare e Dinamos.”
Në përfundim të deklaratës, ai u bën thirrje të gjithëve për mirëkuptim dhe shpreh mbështetjen e tij për futbollin shqiptar:
“Shpresoj shumë në mirëkuptimin e opinionit të gjerë sportiv dhe si në çdo rast i dëshiroj suksese çdo klubi shqiptar në garat europiane.”