Sat, Aug 2, 2025

Produktet e rrezikshme ushqimore, drafti me rregullat e reja të tregtimit! Shitjet online në skanim të plotë! Çfarë parashikon projektligji i ri

  • PublishedAugust 2, 2025

Produktet e rrezikshme ushqimore, drafti me rregullat e reja të tregtimit! Shitjet online në skanim të plotë! Çfarë parashikon projektligji i ri

VOLTIZA DURO

A mund të shisni më një produkt online pa adresë të saktë, pa etiketa të sakta apo pa garanci sigurie? Me ligjin e ri të qeverisë, jo më.

Një paketë masash të reja godet produktet joushqimore që rrezikojnë konsumatorin dhe vendos rregulla të rrepta për çdo hallkë të tregtimit, nga prodhimi e importi, deri te shitja në distancë. Nëse një produkt cilësohet “i rrezikshëm”, ai mund të ndalohet, të tërhiqet, të paralajmërohet me urgjencë ose të shkatërrohet. Asnjë produkt nuk do të kalojë pa kontroll, as në kufi e as në internet.

PROJEKTLIGJI

Qeveria ka propozuar një projektligj të ri me ndryshime thelbësore në ligjin për tregtimin dhe mbikëqyrjen e produkteve joushqimore, duke synuar forcimin e kontrollit, sigurisë dhe transparencës në treg. Ligji i ri përfshin përkufizime të reja, detyrime të shtuara për operatorët ekonomikë dhe mekanizma të qartë për mbrojtjen e konsumatorit. Ndër risitë kryesore është përfshirja e produkteve të përdorura në mbikëqyrje, për sa kohë ato përmbushin kriteret ligjore për siguri dhe përputhshmëri. Shteti ndalon që produkte me rrezik serioz të hyjnë në treg dhe i jep të drejtë strukturave të urdhërojnë bllokim, kthim, paralajmërim dhe, në raste të rënda, edhe shkatërrim.

Për herë të parë përfshihen në ligj platformat online dhe ofruesit e shërbimeve të porosive, të cilët mbajnë përgjegjësi për sigurinë e produkteve që shpërndajnë. Po ashtu, operatorët që ofrojnë produkte për tregun shqiptar, përmes gjuhës, monedhës apo reklamimit, do të kontrollohen si shitës vendas. Sipas draftit, çdo produkt që futet në treg duhet të ketë të vendosura emrin e kompanisë, adresën dhe të dhëna të sakta për kontakt. Nëse mungojnë, autoritetet doganore kanë të drejtë të ndalojnë menjëherë çlirimin për qarkullim të lirë. Kjo vlen edhe për markimet e rreme CE apo mungesën e udhëzimeve në gjuhën shqipe. Strukturat e kontrollit do të mund të veprojnë me ose pa paralajmërim dhe do të ndihmohen nga Policia e Shtetit. Krijohet, gjithashtu, një Zyrë e Vetme Ndërlidhëse që do të koordinojë të gjithë sistemin e mbikëqyrjes së tregut dhe një Pikë Kontakti për operatorët që kërkojnë sqarime për legjislacionin.

Produkti që paraqet rrezik nuk mund të kthehet më në treg pa certifikim të posaçëm. Nëse nuk përputhet me rregullat, pas kontrolleve, ai do të shkatërrohet ose bëhet jofunksional me shpenzimet e shitësit. Projektligji ngarkon ministrinë për hartimin e Strategjisë Kombëtare të Mbikëqyrjes së Tregut, si dhe për miratimin e sistemit të komunikimit dhe shkëmbimit të informacionit ndërmjet strukturave vendase dhe atyre të Bashkimit Evropian. Ligji do të hyjë në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare, ndërsa disa prej dispozitave do të aplikohen pas miratimit të akteve të posaçme nga Këshilli i Ministrave. Kjo paketë legjislative shënon një kthesë drejt një tregu më të sigurt dhe më të kontrolluar, në përputhje me rregullat evropiane. Shqipëria kërkon të mos jetë më një vend ku tregtohet çdo gjë pa përgjegjësi, produktet joushqimore nuk do të jenë më një rrezik i heshtur për konsumatorët.

PIKAT QË NDRYSHOJNË RREGULLAT E TREGTIMIT DHE KONTROLLIT

1. Produktet e rrezikshme mund të shkatërrohen Autoritetet shtetërore kanë të drejtë të urdhërojnë shkatërrimin ose bërjen jofunksional të produkteve që cilësohen si “të rrezikshme” për jetën, shëndetin apo mjedisin.

2. Shitjet online futen në mbikëqyrje të plotë Nëse faqja është në shqip, pranon pagesa në lekë ose shpërndan në Shqipëri, ajo i nënshtrohet detyrimeve të ligjit, si çdo dyqan fizik.

3. Asnjë produkt pa emër dhe adresë nuk hyn në treg. Çdo produkt duhet të shënojë emrin, adresën dhe kontaktet e operatorit ekonomik. Pa to, ndalohet tregtimi ose bllokohet që në doganë.

4. Strukturat shtetërore mund të hyjnë dhe kontrollojnë pa njoftim Inspektorët kanë të drejtë të hyjnë në dyqane, magazina, automjete dhe të marrin mostra, dokumente apo të ndalojnë menjëherë tregtimin e produkteve.

5. Paralajmërim vetëm herën e pare, më pas gjobë Në rast shkeljesh të lehta, operatorët marrin paralajmërim dhe afat për korrigjim. Nëse nuk reagojnë, gjobiten deri në 50,000 lekë.

6. Krijohet Zyra e Vetme Ndërlidhëse dhe Pika e Kontaktit Këto struktura do të koordinojnë mbikëqyrjen mes institucioneve dhe do ofrojnë informacion të përditësuar për konsumatorët dhe bizneset.

7. CE i rremë? Produkti bllokohet në kufi Nëse produkti mban markim CE të rremë, të pasaktë ose të dyshimtë, dogana ka të drejtë të ndalojë çlirimin për qarkullim të lirë.

/Gazeta Panorama