Sunny Hill Festival, Dua Lipa ndan fjalët prekëse pas performancës
Pas një nate të paharrueshme në hapje të edicionit të sivjetmë të Sunny Hill Festival, këngëtarja e njohur botërisht, Dua Lipa, ka ndarë emocionet e saj me ndjekësit në rrjetet sociale. Ajo ka postuar disa fotografi nga nata e parë e festivalit dhe ka shkruar një mesazh falënderues për fansat.
“Sunny Hill Festival Night One”, ka nisur postimin e saj Dua, duke shtuar se ky festival është diçka që ajo dhe familja e saj e kanë krijuar me shumë dashuri për qytetin e saj, Prishtinën. “Të shohësh se si ky festival merr jetë në këtë formë është përtej çdo ëndrre që kam pasur ndonjëherë,” shkroi ajo.
Dua Lipa ka theksuar se nata e saj në skenë ishte mbushur me energji, gëzim dhe krenari, dhe ka ndarë me ndjekësit një moment shumë të veçantë: “Të performoja për ju, dhe të ndaja skenën me babain tim, ishte një moment që s’do ta harroj kurrë.”
Ajo e ka përfunduar postimin me një mesazh prekës për publikun: “JU DUA me krejt zemrën.”