Hamas pranon ndihma për pengjet nga Kryqi i Kuq, por me kushte!
Brigadat Al-Kasam, krahu i armatosur i Hamasit, kanë deklaruar se janë të gatshme të lejojnë Kryqin e Kuq Ndërkombëtar të furnizojë pengjet izraelite me ushqim dhe ilaçe – por vetëm nëse përmbushen disa kushte strikte që lidhen me sjelljen e Izraelit në Gaza.
Deklarata vjen pas një kërkese publike të Benjamin Netanyahu-t, i cili kërkoi ndërhyrje urgjente të Kryqit të Kuq për të garantuar kujdesin mjekësor dhe humanitar për pengjet.
Në reagimin e tyre, Brigadat Al-Kasam theksojnë se ndihma humanitare për pengjet do të lejohet vetëm nëse:
• Hapet një korridor humanitar i përhershëm për gjithë popullsinë e Gazës;
• Ndalohet çdo sulm ajror izraelit gjatë orarit të dorëzimit të ndihmave për pengjet.
Zëdhënësi i grupit, Abu Ubeida, mohoi akuzat për keqtrajtim të pengjeve, duke thënë:
“Pengjet hanë të njëjtën ushqim si luftëtarët tanë dhe popullsia civile.”
Kjo deklaratë vjen në një moment krize të thellë humanitare në Gaza dhe përforcon presionin mbi Izraelin dhe komunitetin ndërkombëtar për armëpushim dhe akses humanitar të sigurt.