Sun, Aug 3, 2025

Skandaloze në Kumanovë/ Kore raciste dhe antishqiptare në ndeshjen e basketbollit Maqedoni e Veriut-Rumani (VIDEO)

  • PublishedAugust 3, 2025

Skandaloze në Kumanovë/ Kore raciste dhe antishqiptare në ndeshjen e basketbollit Maqedoni e Veriut-Rumani (VIDEO)

Ngjarjet shqetësuese janë përsëritur sërish në palestrën e sportit në Kumanovë, ku gjatë ndeshjes së basketbollit mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë u dëgjuan kore me gjuhë urrejtjeje, raciste dhe ksenofobe kundër shqiptarëve.

Një pjesë e tifozëve në tribunë brohorisnin refrene urrejtjeje si: “Le ta kuptojnë shqiptarët e mallkuar, emri maqedonas nuk do të zhduket. Maqedoni e pastër, e pastër, e pastër.”

Pavarësisht se këto thirrje dëgjoheshin qartë, asnjë prej autoriteteve të pranishme në sallë nuk ndërhyri për t’i ndalur.

Në tribunat e palestrës ndodheshin personalitete të larta shtetërore, përfshirë kryeministrin Hristijan Mickoski, kryetarin e Kumanovës Maksim Dimitrievski, ministrin e Punëve të Jashtme Panço Toshkovski dhe zëvendëskryeministrin Ivan Stoilkoviq. Por, prania e tyre nuk shërbeu si pengesë për vazhdimin e gjuhës së urrejtjes.

Incidenti nuk u kufizua vetëm në një moment të izoluar. Gjatë gjithë ndeshjes, u dëgjuan parulla edhe më ekstreme, përfshirë fraza tronditëse si:
“Shqiptari i mirë është shqiptari i vdekur” dhe “Dhoma e gazit për shqiptarët”, duke sjellë në vëmendje retorika të errëta të historisë evropiane që përfaqësojnë kulmin e racizmit dhe dhunës etnike.

Pas përfundimit të ndeshjes, nuk ka pasur asnjë reagim zyrtar, distancim publik apo kërkim faljeje nga organizatorët, federata apo institucionet shtetërore, ndonëse incidenti ka ngjallur indinjatë të thellë në opinionin publik dhe komunitetet shqiptare në rajon.


AlbaniaWeb.net