Thirrjet raciste në Kumanovë, Spiropali kërkon reagim të fortë nga Maqedonia e Veriut: Gjuha e urrejtjes s’ka vend në sport!
Pas thirrjeve fyese dhe raciste ndaj shqiptarëve gjatë një ndeshjeje basketbolli në Kumanovë, kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka reaguar ashpër duke e cilësuar ngjarjen si të papranueshme dhe një shkelje flagrante të vlerave europiane.
“Gjuha e urrejtjes nuk ka vend në sport! Ajo nxit dhunë, përçarje dhe konflikt, kur sporti duhet të jetë arenë bashkimi dhe respekti”, – theksoi Spiropali.
Ajo përshëndeti reagimin institucional të autoriteteve të Maqedonisë së Veriut, por kërkoi një qëndrim më të qartë e të fortë nga zyrtarët më të lartë të shtetit, duke e konsideruar këtë si një detyrim moral dhe politik në rrugën drejt integrimit europian.
Spiropali e mbylli deklaratën duke nënvizuar se Shqipëria dhe shqiptarët do të vijojnë të promovojnë një model bashkëjetese ndëretnike, si një sfidë ndaj paragjykimeve dhe ndasive që e kanë lodhur rajonin.
“Sjellja në fusha, tribuna e institucione flet shumë për vizionin tonë për të ardhmen”, – përfundoi ajo.
Reagimi i plotë:
Ngjarja e djeshme në Kumanovë, ku një ndeshje basketbolli u njollos nga thirrje ekstremisht fyese dhe përjashtuese ndaj shqiptarëve, është e papranueshme dhe një kujtesë se rruga drejt një shoqërie të drejtë, gjithëpërfshirëse dhe të respektit të ndërsjellë kërkon angazhim të pandërprerë.
Gjuha e urrejtjes që nxit dhunën, konfliktin etnik dhe racizmin, nuk ka vend në asnjë hapësirë publike, e aq më pak në sport, që në thelb të tij mbart frymën e bashkimit, të bashkëpunimit, të lojës së ndershme dhe të respektit ndaj tjetrit.
Vlerësoj reagimin e institucioneve të RMV, duke kërkuar njëkohësisht reagim edhe më fortë publik të zyrtarëve më të lartë të vendit mik.
Bashkëjetesa ndëretnike në Maqedoninë e Veriut është një vlerë e përbashkët në rrugën europiane, që duhet ruajtur dhe kultivuar me përgjegjësi nga të gjithë faktorët në rajon, përmes veprimit, qëndrimeve dhe shembullit.
Sjellja korrekte në fusha, në tribuna dhe në institucione flet shumë për vizionin tonë për të ardhmen.
Shqipëria dhe shqiptarët mbeten të palëkundur në promovimin e një bashkëjetese model dhe larg ndasive të dala mode e boje.