Sun, Aug 3, 2025

VIDEO/ Pamjet e sherrit me thika në Vlorë, momenti kur 32-vjeçari godet dy të rinjtë në trotuar

  • PublishedAugust 3, 2025

VIDEO/ Pamjet e sherrit me thika në Vlorë, momenti kur 32-vjeçari godet dy të rinjtë në trotuar

Publikohen pamjet filmike nga sherri i dhunshëm që ndodhi mbrëmjen e djeshme në qytetin e Vlorës, ku dy persona mbetën të plagosur me thikë, ndërsa një 32-vjeçar u arrestua nga policia.

Gazetari Enrik Mehmeti ka siguruar videon ku duken dy të rinj që përleshen ashpër në trotuar jashtë një dyqani. Në përpjekje për të ndërhyrë, një vajzë afrohet për t’i ndalur, por shpejt largohet dhe futet në dyqan, pasi situata del jashtë kontrollit.

Sipas policisë, I. H., 32 vjeç, banues në Vlorë, është përfshirë në konflikt për motive të dobëta, në lagjen “10 Korriku” dhe më pas në “Pavarësia 2”, ku ka sulmuar me thikë dy shtetas: M. F., 39 vjeç dhe K. K., 32 vjeç. Të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetën.

Edhe vetë autori është dëmtuar gjatë përplasjes. Policia ka sekuestruar thikën e përdorur si provë materiale dhe ka dokumentuar ngjarjen me pamje filmike.

Ndaj tij rëndon akuza “Plagosje e rëndë me dashje”, ndërsa materialet procedurale janë referuar Prokurorisë së Vlorës për veprime të mëtejshme ligjore.