Tue, Aug 5, 2025

Ekzekutimi në Vaun e Dejës/ Ish-polici Frrok Lleshaj qëndroi 21 vite në burg për vrasje, dyshohet se u qëllua për gjakmarrje pranë banesës

  • PublishedAugust 4, 2025

Ekzekutimi në Vaun e Dejës/ Ish-polici Frrok Lleshaj qëndroi 21 vite në burg për vrasje, dyshohet se u qëllua për gjakmarrje pranë banesës

Detaje të reja kanë dalë në dritë për atentatin e ndodhur mbrëmjen e sotme (4 gusht) në fshatin Paçram të Vaut të Dejës, ku u vra me armë zjarri Frrok Lleshaj, 65 vjeç.

Sipas burimeve për News 24, viktima u qëllua për vdekje me pistoletë në afërsi të banesës së tij, rreth orës 21:00. Trupi i pajetë u gjet në rrugë nga kalimtarë, ndërsa autorët janë larguar menjëherë pas krimit.

Pista kryesore e hetimit është gjakmarrja.

Frrok Lleshaj ka qenë më parë efektiv policie, por në fillim të viteve ’90 ka vrarë kushëririn e tij, Dodë Lleshaj. Ai u arrestua, por u arratis nga burgu në vitin 1997. Në vitin 2006 u kap sërish dhe vuajti 21 vite burg, derisa doli i lirë në vitin 2023. Gjatë gjithë kohës ai ka mohuar autorësinë e krimit për të cilin u dënua.

Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor, i cili po punon nën drejtimin e Prokurorisë për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe kapjen e autorit/ëve.

Njoftimi i policisë:

Vau i Dejës / Informacion paraprak

Rreth orës 21:00, në fshatin Paçram, Vau i Dejës, në rrugë është gjetur pa shenja jete shtetasi F. Ll., 65 vjeç, i cili dyshohet se është vrarë me armë zjarri.

Shërbimet e Policisë ndodhen në vendngjarje.

Ndërkohë, është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon intensivisht për sqarimin e rrethanave, dokumentimin ligjor, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.