Kaos në linjat Eurostar: Mbi 16 trena anulohen mes Parisit, Londrës, Brukselit e Amsterdamit! Defekt i rëndë në rrjetin elektrik
Një defekt i rëndë në sistemin elektrik ka shkaktuar kaos të vërtetë në linjat hekurudhore Eurostar, duke detyruar anulimin e mbi 16 trenave që lidhin qytetet kryesore evropiane Paris, Londër, Bruksel dhe Amsterdam.
Sipas kompanisë SNCF Réseau, problemi lidhet me një “defekt në linjën ajrore të kontaktit” që furnizon trenat me energji. Ekipet teknike janë në terren, por deri në orën 19:00 nuk ka një afat zyrtar për rikthimin në normalitet.
Situata ka prekur udhëtarët në mënyrë masive: dy trena janë detyruar të kthehen mbrapsht në stacionet e nisjes, ndërsa vonesat shkojnë deri në 1 orë e 50 minuta për disa prej linjave të pakta ende funksionale.
SNCF ka nisur krijimin e itinerareve alternative, por deri në mesditë asnjë zgjidhje konkrete nuk është dhënë për udhëtarët e bllokuar. Eurostar ka kërkuar ndjesë publike dhe ka ofruar rimbursime të pjesshme për pasagjerët e prekur.