Mon, Aug 4, 2025

Sundimi i ligjit dhe zhvillimi

  • PublishedAugust 4, 2025

Sundimi i ligjit dhe zhvillimi

ARBEN MALAJ

“Në zhvillim, ligji nuk është pasojë, por parakusht.”

Thomas Carothers

Joseph Stiglitz, nobelist në Ekonomi do të theksonte se: “Zhvillimi kërkon institucione funksionale, të cilat bazohen në ligj, jo në privilegj apo lidhje.”

Po kështu, Merkel – ish-Kancelare e Gjermanisë do të qartësonte se “Vetëm aty ku ligji sundon mbi gjithçka, zhvillimi është i drejtë dhe i përbashkët.” Të dy mesazhet paralajmërojnë se zhvillimi pa drejtësi prodhon padrejtësi të reja. Njësoj siç ndodh aktualisht në vendin tonë, ku shteti i së drejtës është cenuar rëndë nga mosfunksionimi i shtetit ligjor. Pengesa dhe vonesa shumë të rënda cenojnë liritë themelore të individëve, duke filluar me liritë politike dhe të pronës private.

Ndarja, balanca dhe kontrolli midis tre pushteteve nuk ekziston. Shqipëria qeveriset në mënyrën më të rëndë dhe më të dëmshme të përqendrimit të pushtetit politik dhe ekonomik në shumë pak individë. Reforma në drejtësi, veç SPAK, është një dështim i rëndë që pengon barazinë e mundësive si thelbi i zhvillimit të çdo vendi. 150 mijë dosjet që kanë dekada të bllokuara, të shtuara janë prova më e qartë dhe më zhgënjyese e drejtësisë së vonuar që në thelb është drejtësi e munguar. Asnjë të dhënë sa është shkurtuar procesi gjyqësore në çdo fazë të gjykimeve penale, civile dhe administrative.

Asnjë draft propozim si dhe sa do të reduktohen 150 mijë dosjet në pritje, ku mbahen të bllokuara miliarda lekë prona dhe burimeve financiare investuese. Prandaj ambienti ynë social, ekonomik e politik sundohet nga pabarazitë, padrejtësitë dhe pengesat e zhvillimit si liri. Lidhja filozofike midis drejtësisë, zgjedhjes dhe zhvillimit – shpjegon pse zhvillimi është më shumë se rritje ekonomike. Amartya Sen – Nobelist në Ekonomi (Development as Freedom, 1999) thekson se: “Zhvillimi është liri. Pa sundim të ligjit, njerëzit nuk janë të lirë të bëjnë zgjedhje kuptimplota për jetën e tyre.” Në një epokë ku globalizimi dhe konkurrenca ndërkombëtare përcaktojnë fatet ekonomike të kombeve, një faktor që del në pah si themeli i padiskutueshëm i zhvillimit të qëndrueshëm është sundimi i ligjit.

Sa më i fortë të jetë ky themel, aq më e qëndrueshme, gjithëpërfshirëse dhe e drejtë është rritja ekonomike e një vendi. E kundërta është, gjithashtu, e vërtetë: dobësia e institucioneve ligjore e dëmton besimin, investimet, meritokracinë dhe vetë shpresën për përparim. Studimet kryesore ekonomike dhe institucionale nga Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, OECD, EBRD, si dhe Forumi Ekonomik Botëror, e kanë konfirmuar me të dhëna konkrete një korrelacion të lartë pozitiv midis cilësisë së institucioneve ligjore dhe nivelit të zhvillimit ekonomik. Në indeksin e konkurrencës globale të Forumit të Davosit, shtylla e parë e matjes është pikërisht “Institucionet”, ku përfshihen nën-indikatorë si: (i) pavarësia e gjyqësorit: (ii) efikasiteti i kuadrit ligjor; (iii) mbrojtja e pronës dhe (iv) lufta kundër korrupsionit. Në indeksin e lirisë ekonomike, liria e pronës private, shkalla e gjyqësorit të pavarur dhe niveli korrupsionit epidemi janë rreth 35-40 për qind, çka nënkupton se vazhdojnë të jenë faktorë pengues të lirisë ekonomike dhe të zhvillimit harmonik, gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm. Raportet e fundit tregojnë se mungesa e sundimit të ligjit dhe dobësitë në drejtësi janë faktorë frenues kryesorë për investimet e huaja, rritjen e konkurrencës dhe krijimin e një klime të drejtë për biznesin. Nobelisti indian Amartya Sen, në veprën e tij “Development as Freedom”, e vendos sundimin e ligjit në zemër të zhvillimit. Për të, zhvillimi nuk është vetëm rritje e të ardhurave, por çlirim: (i) nga padrejtësitë; (ii) nga varfëria; (iii) mungesa e arsimit; (iv) shëndetësisë dhe (v) veçanërisht nga shtypja institucionale. Sundimi i ligjit garanton që individët të kenë mundësi reale për të përmbushur potencialin e tyre. Sen shkruan: “Njerëzit duhet të kenë mundësinë të bëjnë zgjedhje që i japin kuptim jetës së tyre – dhe kjo është e pamundur pa institucione të besueshme dhe të drejta.” Ky këndvështrim thekson se vendet e zhvilluara janë të tilla jo vetëm për shkak të pasurisë së tyre, por për shkak të institucioneve që i shërbejnë qytetarit, dhe jo grupeve të interesit. Sipas analizës së IMF dhe BB: Faktorë që ndikojnë pozitivisht janë: (i) pavarësia reale e drejtësisë; (ii) llogaridhënia; (iii) transparenca e vendimeve publike; (iv) media e lirë dhe (v) edukimi ligjor i popullatës.

Pengesat kryesore përfshijnë: (i) korrupsionin e strukturuar; (ii) ndërhyrjen politike në drejtësi; (iii) kulturën e pandëshkueshmërisë dhe (iv) kapjen e shtetit nga interesa të ngushta ekonomiko-politike. Sipas Indeksit të sundimit të Ligjit – vendet me sundim të dobët të ligjit kanë: (i) normë më të ulët investimesh; (ii) më shumë informalitet dhe (iii) rritje të paqëndrueshme.

Vendi ynë ndodhet në një moment vendimtar të historisë së saj të integrimit europian. Reforma në drejtësi, me gjithë sukseset e pjesshme, vazhdon të hasë rezistencë. Për një vend me aspirata të qarta për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian, mungesa e një sistemi të parashikueshëm ligjor është një barrë e rëndë që pengon integrimin politik dhe ekonomik. Raporti i fundit i EBRD për Ballkanin Perëndimor e përmend Shqipërinë si një rast ku “mungesa e zbatimit të barabartë të ligjit krijon shtrembërime në treg dhe frikë për investitorët.”

Çdo vonesë në reforma të suksesshme dhe të matshme që duhet të krijojnë dhe garantojnë barazinë e mundësive, duke filluar nga funksionimi i shtetit ligjor, është një pengesë e rëndë që qeveritë u bëjnë popujve të tyre, jo vetëm duke u mohuar të drejtat thelbësore, por edhe duke keqpërdorur drejtësinë për të prodhuar pabarazi dhe padrejtësi për qytetarët dhe pasurim deri kriminal për pak biznese dhe shumë më pak politikanë të korruptuar dhe të kapur.

Një nga sfidat kryesore për vendin tonë është kthimi i besimit të qytetarëve se ligji nuk është vetëm një vegël për të fuqishmit, por një mburojë për më të dobëtit. Kjo kërkon: (i)lidership me integritet; (ii) media të guximshme dhe (iii) qytetari aktive.

Reformat në drejtësi nuk maten nga numri i takimeve konsultative, as nga numri i mijëra faqeve të studimeve apo rekomandimeve, por nga përmirësimi konkret i matur nëpërmjet treguesve të matshëm së pari dhe mbi të gjitha, për individët dhe bizneset të prekura rëndë në mosgëzimin e të drejtave kushtetuese. Edhe “reformat” 12-vjeçare në drejtësi, rezultojnë se drejtësia vazhdon deformuar, e keqpërdorur dhe e mohuar, jo nga paqartësia profesionale, por nga kullë-babëzia dhe pushtet-babëzia.

Rekomandohet që vendi ynë, në vend të shpenzimeve të panevojshme për projekte të shtrenjta, duhet të përqendrojë burimet e saj politike, intelektuale dhe ekonomike në konsolidimin e institucioneve ligjore. Është ky investimi më strategjik për një të ardhme të drejtë, të pasur dhe europiane.

Politikanët, intelektualët dhe qytetarët duhen qartësuar se nuk mund të ketë zhvillim të qëndrueshëm pa drejtësi. Angazhimi i shoqërisë civile dhe grupeve të interesit është domosdoshmëri. Sundimi i ligjit nuk është luks – është oksigjeni i progresit të vërtetë ekonomik dhe shoqëror. Nobelisti në ekonomi Amartya Sen, konkludon se: “Zhvillimi është çlirim nga tirania – përmes ligjit, arsimimit dhe mundësisë për të zgjedhur.”/Gazeta Panorama