Arrestohet noterja 57-vjeçare e shpallur në kërkim, dyshohet se ka përpiluar dy kontrata shitjeje për të njëjtin apartament
Një notere 57-vjeçare është vënë në pranga nga Policia e Tiranës, si pjesë e operacionit “Apartamentet”, që synon goditjen e korrupsionit në sektorin e pasurive të paluajtshme.
E identifikuar me inicialet M. D., ajo ishte shpallur më herët në kërkim dhe dyshohet se ka përpiluar dy kontrata shitjeje për të njëjtin apartament, duke krijuar kaos ligjor dhe duke cenuar interesat e palëve.
Sipas njoftimit zyrtar, pas kapjes së saj nga specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, dhe në konsultim me prokurorin, ndaj noteres ka nisur procedim penal në gjendje të lirë, për veprën “Shpërdorim detyre”.
Ngjarja konsiderohet pjesë e një zinxhiri shkeljesh në tregun e pronave në Tiranë, ku po hetohen raste të tjera të ngjashme që lidhen me shitje të dyfishta dhe mashtrime kontraktuale.
Materialet i janë referuar Prokurorisë së Tiranës, e cila do të vijojë hetimet për të verifikuar lidhjet e mundshme të noteres me grupe të tjera ose individë të përfshirë në skema mashtrimi.
Njoftimi i policisë:
Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare kapën shtetasen e shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Apartamentet”, M. D., 57 vjeçe, pasi dyshohet se duke shpërdoruar detyrën si notere, ka përpiluar 2 kontrata shitjeje për të njëjtin apartament. Në përfundim të veprimeve procedurale, pas konsultimit me prokurorin, për 57-vjeçaren nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.