Çështja Epstein shpërthen sërish: Bill dhe Hillary Clinton thirren për të dëshmuar, kërkohen dokumente edhe nga Departamenti i Drejtësisë
Ish-presidenti amerikan Bill Clinton dhe ish-sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton, janë thirrur zyrtarisht për të dëshmuar në lidhje me hetimet që po rifillojnë për çështjen e Jeffrey Epstein.
Thirrjet janë lëshuar më 5 gusht nga kreu i Komisionit të Mbikëqyrjes në Dhomën e Përfaqësuesve, James Comer, i cili ka kërkuar gjithashtu që Departamenti i Drejtësisë të dorëzojë të gjitha dokumentet dhe komunikimet që lidhen me Epstein, përfshirë edhe shkëmbimet me administratën e Joe Biden.
Përveç çiftit Clinton, komisioni ka ftuar të dëshmojnë edhe figura të larta të drejtësisë si ish-drejtorët e FBI-së, James Comey dhe Robert Mueller, si dhe disa ish-prokurorë të përgjithshëm: Loretta Lynch, Eric Holder, William Barr, Jeff Sessions dhe Alberto Gonzales.
Hetimet për rrjetin e abuzimit të Epstein janë intensifikuar, teksa pritet të dëshmojë edhe Ghislaine Maxwell – e dënuar për rekrutimin e vajzave të mitura për llogari të Epstein. Dëshmia e saj mund të shtyhet në pritje të një vendimi të Gjykatës së Lartë mbi ankesën që ajo ka bërë për procesin gjyqësor.
Jeffrey Epstein u gjet i vdekur në qelinë e tij në gusht 2019. Zyrtarisht u shpall vetëvrasje, por teoritë për një mbulim të qëllimshëm vazhdojnë të ndajnë opinionin publik dhe politik në SHBA.