Tue, Aug 5, 2025

“E përdor shpesh ChatGPT!” – Deklarata e Kryeministrit të Suedisë shkakton debat: Kritika nga mediat, reagim nga zyra e tij

  • PublishedAugust 5, 2025

“E përdor shpesh ChatGPT!” – Deklarata e Kryeministrit të Suedisë shkakton debat: Kritika nga mediat, reagim nga zyra e tij

Deklarata e Kryeministrit të Suedisë, Ulf Kristersson, se përdor shpesh ChatGPT dhe mjete të tjera të inteligjencës artificiale për të marrë “një mendim të dytë”, ka ndezur debate të forta në mediat suedeze dhe ndërkombëtare.

Në një intervistë për gazetën ekonomike Dagens Industri, Kristersson tha:

“E përdor shumë shpesh, qoftë edhe vetëm për një mendim alternativ. ‘Çfarë kanë bërë të tjerët? A duhet të mendojmë të kundërtën?’ – të këtij lloji janë pyetjet që bëj.”

Ai shtoi se edhe anëtarë të tjerë të kabinetit qeveritar e përdorin inteligjencën artificiale në mënyrë të ngjashme.

Por jo të gjithë e pritën mirë këtë sinqeritet. Sipas The Guardian, reagimet ishin të përziera, ndërsa më kritikët ishin gazetarët e Aftonbladet, që e akuzuan Kryeministrin se “ka rënë pre e obsesionit të oligarkëve me AI”.

Një hulumtuese suedeze, në një deklaratë për të njëjtën gazetë, paralajmëroi se përdorimi i platformave si ChatGPT për çështje të ndjeshme nga liderët politikë përbën rrezik të mundshëm për sigurinë dhe transparencën institucionale.

Pas kritikave, zyra e Kryeministrit doli me një deklaratë zyrtare, duke sqaruar se Kristersson nuk ka ndarë kurrë informacion konfidencial me këto platforma dhe se përdorimi i tyre ka qenë thjesht për konsultime të përgjithshme apo ndihmë ideore.