Eliminimi zhgënjyes ndaj Vikingurit/ Te Vllaznia ka qetësi, para stuhisë së pritshme
Humbja 4-2 në Islandë ndaj Vikingur dhe eliminimi i Vllaznisë nga turi i dytë i “Conference League” duket se ka zhgënjyer shumë në kampin shkodran.
Në një moment ku kuqeblutë ishin vetëm 5 minuta larg nga kualifikimi historik në turin e tretë të “Conference League”, ishte ai gol i Vikingur në minutën e 86- të që “shembi” gjithçka për 9 herë kampionët e vendit tonë. Të cilët më pas pësuan edhe në shtesë, golin që i nxori jashtë kompeticionit.
Një disfatë që ka lënë një shije jashtëzakonisht të hidhur dhe që nuk është “kapërdirë” aq lehtë tek Vllaznia. Me shkodranët të cilët po ashtu nuk kanë preferuar aspak të shfaqen në media me ndonjë deklaratë apo prononcim rreth ndeshjes së kthimit në Islandë ndaj Vikingur.
Ku në kampin shkodran është preferuar heshtja dhe kalimi i këtij eliminimi pa zhurmë, pavarësisht zhgënjimit të madh që është përjetuar mes futbollistëve, stafit drejtues dhe atij teknik. Edhe në rrjetet sociale të klubit nuk ka pasur ndonjë lloj informacioni shtesë për pas ndeshjen me Vikingur.
Ku i vetmi postim që ka ardhur pas kthimit nga Islanda ka qenë ai i falënderimit të tifozëve, të cilët si gjithmonë dhe në çdo cep të Europës janë pranë ekipit të tyre të zemrës. Tashmë te Vllaznia nisin menjëherë përgatitjet për sezonin e ri në Superiore, me edicionin 2025-26 të elitës së futbollit tonë që ngre siparin në datën 23 gusht.