Në Angli kanë filluar ta quajnë “klauzola Broja”, Çelsi përsërit lëvizjen e zgjuar që bëri me sulmuesin shqiptar
Çelsi po bëhet gati të nisë një tjetër lojtar në huazim në këtë sezon dhe ka vendosur në kontratën e tij atë që në Angli tashmë po etiketohet nga të gjithë si ”klauzola Broja”. Londinezët po përsëritin me Mark Guiu të njëjtën lëvizje që bënë me sulmuesin shqiptar dhe që rezultoi mjaft fitimprurëse për ta.
Guiu pritet të transferohet në huazim në këtë sezon te Sandërlendi dhe Çelsi do t’i vendosë klauzolën që u bë e famshme kur Broja u transferua në këtë formulë te Fullhemi. Për t’u siguruar që klubi tjetër e aktivizon të riun që pritet të kthehet te blutë, Çelsi ka vendosur një klauzolë që e detyron Sandërlendin që ta aktivizojë për një numër të caktuar ndeshjesh me një minutash të caktuar. Nëse nuk plotësohen këto ndeshje apo minuta, atëherë klubi që e ka marrë në huazim do të jetë i detyruar që të paguajë një shifër të caktuar.
Në këtë mënyrë u veprua dy sezone më parë kur Broja u huazua te Fullhemi. Asokohe, klubi që mori thuajse falas sulmuesin shqiptar, nuk e aktivizoi për numrin e caktuar të ndeshjeve dhe u detyrua t’i paguante 4 milionë paund Çelsit në fund të huazimit.
PANORAMASPORT.AL