Tue, Aug 5, 2025

Netanyahu mbledh kabinetin për planin e pushtimit të Gazës: Në tavolinë, urdhrat për ofensivën ushtarake

  • PublishedAugust 5, 2025

Netanyahu mbledh kabinetin për planin e pushtimit të Gazës: Në tavolinë, urdhrat për ofensivën ushtarake

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka paralajmëruar një tjetër mbledhje të kabinetit të sigurisë këtë javë, me qëllim përcaktimin e udhëzimeve për fazat e mëtejshme të ofensivës në Rripin e Gazës.

“Ne duhet të qëndrojmë të bashkuar për të përmbushur të gjitha objektivat e luftës: mposhtjen e armikut, lirimin e pengjeve dhe garantimin se Gaza nuk do të jetë më kërcënim për Izraelin”, deklaroi Netanyahu në fillim të mbledhjes së fundit qeveritare.

Ky njoftim vjen pas sinjalizimit të qartë nga Netanyahu për një pushtim të plotë të territorit të Gazës – plan që ka ngjallur përplasje të forta me disa zyrtarë të lartë ushtarakë. Ushtria izraelite ka propozuar një zgjidhje alternative me zona sigurie të kufizuara në veri dhe jug të enklavës, por kryeministri insiston në kontroll total.

Sipas mediave izraelite, Netanyahu i ka bërë të qartë komandantëve të tij se refuzimi për të zbatuar planin mund të pasohet me dorëheqje.

Plani për pushtimin e plotë të Gazës po përballet me kundërshtime edhe brenda qeverisë dhe komunitetit të sigurisë, ndërsa ekspertët paralajmërojnë për pasoja serioze: rrezikim i pengjeve izraelite që ndodhen ende në territorin palestinez dhe përkeqësim i krizës humanitare.