Ruanda arrin marrëveshje me SHBA-në: Do të pranojë deri në 250 emigrantë të deportuar
Qeveria e Ruandës ka konfirmuar një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara, sipas së cilës pranon deri në 250 emigrantë të deportuar nga territori amerikan.
Lajmi u bë publik të martën nga zëdhënësja e qeverisë, Yolande Makolo, e cila theksoi se kjo nismë pasqyron “vlerat shoqërore të Ruandës për riintegrim dhe rehabilitim”. Ajo tha se çdo rast do të vlerësohet individualisht dhe nuk dha afate kohore, detaje mbi kombësinë e të deportuarve apo përfitimet që Kigali mund të marrë në këmbim.
“Sapo të finalizohen detajet, do t’i ndajmë publikisht,” shtoi Makolo në një përgjigje për agjencinë AFP.
Sipas mediave ndërkombëtare, Uashingtoni ka intensifikuar përpjekjet për të gjetur vende të treta ku mund të zhvendosë emigrantët që ndodhen në mënyrë të paligjshme në SHBA. Muajin e kaluar, një grup prej tetë emigrantësh të deportuar nga SHBA-të u ndalua në Sudanin e Jugut – vetëm njëri prej tyre rezultonte nga ai shtet.
Kujtojmë se një marrëveshje e ngjashme mes Britanisë së Madhe dhe Ruandës u rrëzua nga Gjykata e Lartë britanike në vitin 2024, e cila e cilësoi si të paligjshme, duke argumentuar se emigrantët “rrezikojnë keqtrajtim serioz në Ruandë”.
Aktualisht, Kigali përballet me akuza për shkelje të të drejtave të njeriut dhe përfshirje në konflikte në Republikën Demokratike të Kongos, gjë që e bën marrëveshjen me SHBA-në veçanërisht kontroverse.