Trump: Nëse bie çmimi i naftës, Putini do ndalë luftën! Ekonomia ruse është në kolaps
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se ulja e çmimeve të energjisë do të ishte një goditje fatale për Vladimir Putinin dhe do ta detyronte të ndalonte luftën në Ukrainë.
“Nëse çmimet e energjisë bien mjaftueshëm, Putini do të ndalojë së vrari njerëz,” u shpreh Trump në një intervistë për CNBC. Sipas tij, nëse nafta bie edhe me 10 dollarë për fuçi, “ai nuk do të ketë më zgjidhje tjetër, sepse ekonomia e tij është në gjendje të mjerueshme.”
Gjatë intervistës, Trump foli edhe për emërimet e ardhshme në krye të institucioneve ekonomike. Ai konfirmoi se do të zëvendësojë anëtaren e larguar të Bordit të Rezervës Federale, Adriana Kugler, dhe po shqyrton katër kandidatë për të drejtuar Fed-in, pasi mandati i Jerome Powell përfundon në maj 2026.
Trump përjashtoi nga lista Sekretarin e Thesarit Scott Besent, duke thënë se “ai nuk është i interesuar për postin” dhe preferon të qëndrojë në detyrën aktuale.
Ndër emrat që po diskutohen janë Kevin Warsh dhe Kevin Hassett – të dy të njohur për qëndrime konservatore dhe mbështetje për politikat e uljes së interesave.
“Janë të dy shumë të mirë – dhe ka edhe të tjerë që janë po aq të mirë,” përfundoi Trump.