Wed, Aug 6, 2025

Afati për armëpushim po shkon drejt fundit, i dërguari i Trump zhvillon takim në Kremlin me Putinin

  • PublishedAugust 6, 2025

Afati për armëpushim po shkon drejt fundit, i dërguari i Trump zhvillon takim në Kremlin me Putinin

Teksa afati i vendosur nga Donald Trump për një armëpushim në Ukrainë po shkon drejt fundit, i dërguari i tij, Steve Witkoff, është takuar sot në Kremlin me presidentin rus Vladimir Putin, raportojnë mediat ruse.

Witkoff mbërriti në Moskë të mërkurën, ndërsa SHBA-ja ka paralajmëruar se nëse Moska nuk ndërmerr hapa konkrete për t’i dhënë fund luftës me Ukrainën, atëherë do të përballet me sanksione të rënda, përfshirë ato dytësore ndaj vendeve që vazhdojnë tregtinë me të.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, deklaroi se Rusia do të lëvizë drejt paqes vetëm kur të fillojë të mbetet pa para, duke përshëndetur sinjalet e SHBA-së për masa më të forta ndaj importuesve të naftës ruse.

Pavarësisht presionit amerikan, Moska ka vijuar sulmet ajrore ndaj Ukrainës, ndërsa tre raunde bisedimesh në Stamboll nuk kanë prodhuar asnjë rezultat konkret.

Parakushtet që vendos Rusia për paqe konsiderohen të papranueshme nga Kievi dhe aleatët perëndimorë. Kremlini gjithashtu ka refuzuar kërkesën e Zelensky për një takim të drejtpërdrejtë me Putinin.