Kërkoi 4 mijë euro për të ndikuar te gjyqtari, SPAK çon për gjykim avokatin Bardhi Koçi! Tre raste korrupsioni të zbuluara me përgjime
SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim dosjen ndaj avokatit Bardhi Koçi dhe Pranvera Meshit, të akuzuar për ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj funksionarëve publikë, në disa raste të dokumentuara me metoda speciale hetimi.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, Bardhi Koçi – ish-auditues në Kontrollin e Lartë të Shtetit – është përfshirë në tre episode korrupsioni, ku ka kërkuar para në këmbim të ndikimit mbi gjyqtarë dhe ekspertë të drejtësisë.
Çfarë ka zbuluar SPAK:
• Koçi ka marrë 1000 euro nga Pranvera Meshi (atëkohë e gjykuar për falsifikim), me premtimin se do ndikonte te gjyqtari i çështjes.
• Ka kërkuar 1300 euro nga një shtetas tjetër për të ndërhyrë te gjyqtarë të tjerë për të përshpejtuar një seancë për masën e sigurisë ndaj një të arrestuare për drejtim të parregullt të mjetit.
• Ka përfituar të tjera shuma nga një tjetër shtetas për të ndikuar te ekspertët e Institutit të Policisë Shkencore, për një akt ekspertimi mbi lëndë narkotike.
Ndaj të pandehurve rëndojnë akuzat sipas nenit 245/1 të Kodit Penal (“Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj funksionarëve publikë”), ndërsa ndaj Koçit janë evidentuar dy episode të tjera në hetim për të njëjtën vepër.
Dosja është dërguar në gjykim më 5 gusht 2025. Hetimet vazhdojnë për të dokumentuar të tjera fakte.