Wed, Aug 6, 2025

Netanyahu miraton planin për pushtimin e plotë të Gazës! Shefi i ushtrisë izraelite kundërshton vendimin e kryeministrit

  • PublishedAugust 6, 2025

Netanyahu miraton planin për pushtimin e plotë të Gazës! Shefi i ushtrisë izraelite kundërshton vendimin e kryeministrit

Pas një takimi me dyer të mbyllura që zgjati mbi tre orë dhe që u drejtua nga kryeministri Benjamin Netanyahu, u vendos paraprakisht miratimi i planit për pushtimin e plotë të Rripit të Gazës. Në takim morën pjesë Ministri i Mbrojtjes Israel Katz dhe Ministri i Çështjeve Strategjike Ron Dermer.

Pavarësisht miratimit politik, shefi i ushtrisë izraelite, gjeneralmajor Eyal Zamir, shprehu kundërshtime të forta ndaj planit, duke theksuar rrezikun për jetën e pengjeve izraelite, të cilët besohet se mbahen në disa zona të banuara nga civilët në Gaza.

Ai propozoi një alternativë operative që konsiston në rrethimin e zonave të caktuara, me qëllim detyrimin e Hamasit të çarmatoset dhe të lirojë pengjet pa një ofensivë të përgjithshme.

Sipas burimeve të brendshme, Netanyahu refuzoi kategorikisht propozimet e gjeneralit Zamir dhe e kritikoi atë ashpër për zbulimin e planeve të tij për dorëheqje në mediat lokale. Klima e tensionuar mes drejtuesve të shtetit dhe të ushtrisë ka marrë jehonë të madhe në mediat izraelite.

Ministri i Mbrojtjes Katz u përpoq të ulë tensionet me një deklaratë pajtuese, duke theksuar se “në një takim të mbyllur, shefi i ushtrisë ka të drejtën dhe detyrimin të shprehet lirshëm”.

Mbledhje vendimtare nesër

Vendimi përfundimtar pritet të merret nesër pasdite (7 gusht), në orën 18:00, gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ku do të prezantohen edhe plane të reja operative të përgatitura nga ushtria në përputhje me kërkesat e Netanyahut.

Reagimi i opozitës dhe protestat publike

Vendimi për pushtimin e plotë të Gazës është kundërshtuar fuqishëm nga opozita, veçanërisht nga lideri Yair Lapid, i cili paralajmëroi për pasoja të rënda humanitare dhe ndërkombëtare.

“Një pushtim i tillë do të sjellë humbje të mëdha në radhët e ushtrisë dhe civilëve, dhe rrezikon jetën e pengjeve që mund të ekzekutohen nga Hamasi ose të humbin jetën nga zjarri i ushtrisë apo mungesa e ndihmës,” u shpreh Lapid për radion shtetërore.

Mbrëmjen e djeshme, qindra protestues u mblodhën në qendër të Tel Avivit, në një demonstratë të organizuar nga të afërmit e pengjeve. Slogani kryesor i protestës ishte: “Pushtimi i Gazës do të thotë dënim me vdekje për pengjet”.