Wed, Aug 6, 2025

Nga zhdukja deri te varrosja në arën me misër/ Prokuroria konfirmon se trupi i pajetë është i Enver Bajraktarit! Doli të kulloste lopën, por nuk u kthye më

  • PublishedAugust 6, 2025

Nga zhdukja deri te varrosja në arën me misër/ Prokuroria konfirmon se trupi i pajetë është i Enver Bajraktarit! Doli të kulloste lopën, por nuk u kthye më

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur para dy ditësh në fshatin Baicë të Lipjanit, ku një person u gjet i vdekur dhe i varrosur në një arë të këtij fshati. Viktima ishte pikërisht personi për të cilin familjarët kishin raportuar më herët si të zhdukur.

Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kaltrina Shala, ka konfirmuar për Telegrafin se të martën është bërë identifikimi i viktimës dhe se bëhet fjalë për Enver Bajraktarin.

“Me datën 05.08.2025 është bërë identifikimi i plotë i trupit dhe ishte Enver Bajraktarit. Është kryer autopsia dhe janë në proces intenziv hetimet në këtë çështje. Megjithatë, në këtë fazë nuk mund të japim detaje të hollësishme”, tha Shala.

Lidhur me rastin, policia ka njoftuar se deri tani ka intervistuar katër dëshmitarë.

Çfarë deklaruan familjarët?

Familja e të ndjerit ka hapur dyert për ngushëllime, ndërkaq, njëri nga të afërmit, Besnik Bajraktari, u tha gazetarëve ditën e martë se i ndjeri një ditë më parë kishte dalë për të kullosur lopën dhe nuk ishte kthyer më.

“Rreth orës 16:00, familjarët e kanë lëshuar lopën për të kullotur, ndërkaq rreth orës 17:30 – 18:00, lopa është kthyer te shtëpia, por pa çobanin. Kanë tentuar të kontaktojnë me të, por nuk kanë mundur të kenë kontakt. Kanë pyetur edhe te miqtë e afërt, por nuk është gjetur askund. Kur kanë parë që nuk është askund, ka filluar i gjithë fshati të kërkojë”, tha ai.

Ai tutje tregon se si kanë ndjekur gjurmët e tij.

“Lokacioni është vëzhguar përmes shtëpisë së vëllait të tij dhe është zbuluar se lëvizja e fundit e tij ka qenë te ajo shtëpia e vogël. Në bazë të kësaj, kanë filluar kërkimet në terren. Djemtë që kanë ardhur, e kanë kërkuar përmes shkopit që përdorej për të ruajtur lopën. Aty kanë parë që kishte zvarritje në kallamoq. Më pas, përmes atyre gjurmëve, kanë shkuar më tutje. Kur kanë parë dheun e sapo vendosur dhe misrin e mbjellë sipër tij, është kuptuar se bëhej fjalë për një varr të mundshëm. Kur është hapur varri, është gjetur dërrasa dhe është parë se brenda ishte kufoma e një njeriu. Nuk dihet ende saktësisht, pasi duhet të merret forenzika… Nuk dihet, pasi nuk supozohet që ka pasur ndonjë gjë”, tha ai.

Ndryshe, prokuroria konfirmoi ditën e martë se trupi kishte qenë i freskët në momentin kur është gjetur./Telegrafi