Wed, Aug 6, 2025

Përse po mbetet më pak popull në Shqipëri?!

  • PublishedAugust 6, 2025

Përse po mbetet më pak popull në Shqipëri?!

NGA XHEVAT MUSTAFA

Mungesa e popullit, pozitës, opozitës, sindikatave, shtetit ligjor funksional, drejtësisë, demokracisë së vërtetë dhe ambiciet për plotpushtetizim e kanë trimëruar dhe nxitur Rama-qeverinë deri në sajimin e Kodit të ri Penal, me “erë të rëndë” enverizmi dhe aranitçelaizmi.

Përgjigja më e plotë, më e saktë, më bindëse e më masivisht e pranueshme e pyetjes se “përse në këta rreth 35 vjet po mbetet gjithnjë e më pak popull e Shqipëri në këtë vend?” mund të kërkohet dhe gjendet duke studiuar me vëmendje të shtuar, qoftë edhe shpejt e shpejt dhe jo nga fjala e parë deri tek e fundit, çfarë kanë shkruar ideologët e shovinizmit serb dhe të antishqiptarizmit, Vlladan Gjorgjeviqi (1844-1930), Jovan Cvijiqi (1865-1927), Vasa Çubrilloviqi (1897-1990), Ivo Andriqi (1892-1975) e të tjerë. Për të qenë sa më konkret dhe bindës po i referohem me shkurtime një këshille apo “porosie” nga memorandumi i Vaso Çubrilloviq, paraqitur më 7 mars 1937 Kryeministrit të Serbisë, Millan Stojadinoviq. Sipas Çubriloviçit, “në planin ligjor: duhet t’i përdorim ligjet tejskajërisht për t’ua bërë qëndrimin këtu të pamundur. Me gjoba, burgime, me dispozita ligjore e policore, me ndëshkimin e kontrabandës më të vogël, të prerjes së qoftë një peme, deri me detyrimin për të mbajtur lidhur qenin. Në planin ekonomik: mosnjohja e asnjë titulli pronësie, mbledhja e pamëshirshme e taksave, detyrimi me forcë i shlyerjes së borxheve publike e private, transferimi i kullotave shtetit dhe komunave, anulimi i gjithë koncesioneve e favoreve të dhëna, heqja e licencave profesionale, shkarkimi i gjithë shqiptarëve të punësuar në administratë shtetërore e lokale. Në masat praktike e efikase të përfshihen: shkatërrimi i shtesave dhe mureve rrethuese të shtëpive, pengesat shumëmënyrëshe që të shesin prodhimet si bagëtitë dhe bulmetin në treg…”!

Nga sa bëri gjatë rreth 44 viteve sa qe në krye të PKSHPPSH-së e të qeverive dhe të shtetit të Shqipërisë nuk kërkohet vramendje për të kuptuar e për t’u bindur edhe se Enver Hoxha nëpërmjet një strategjie të mirëstudiuar në Beograd, me ide dhe alternativa të huazuara apo referuar edhe nga Gjorgjeviqi, Cvijiçi, Cubroloviqi, Tito, Andriqi, ia arriti t’i heqë në tru, mendësi, tradita… shumicës së shqiptarëve pikërisht ato që e kishin mbajtur dhe e mbanin popull. Duke njohur mirë dhe shfrytëzuar nivelet e ulëta të arsimimit, të kulturës, edukatës qytetare e të larta të “katundarisë”, të lehtë mashtrimit me premtime marramendëse apo rrenëse, edhe pse ideoi dhe financoi fushatën kundër analfabetizmit, për shumicën “sa me lexue emër e mbiemër e me hedh firma”, ai i injektoi në tru shumicës së popullit dashurinë deri në skllavërim dhe “verbëri” për atë dhe partinë! Për më keq, pa ndjerë turp e vrasje në ndërgjegje se i kishte tradhtuar qysh nga “lindja” dhe vazhdoi t’i tradhtonte hapur apo pas kulisave deri në frymën e fundit…! Që u kishte premtuar parajsën dhe u siguroi ferrin! Që u kishte premtuar lugët e florinjta dhe u siguroi deri më 1992, masivisht në fshatra, sidomos në ato më të largët e më të thellë, ku jetonte 65% e popullsisë së vendit, sofrat dhe lugët e drunjta ose të aluminta, vende-vende të nxira e shtrembëruara!? Më vonë, sidomos pas prishjes së marrëdhënieve politiko-ekonomike me Bashkimin Sovjetik dhe me “Kinën motër”, po sipas një skenari nisur qysh më 8 nëntor 1941, më së shumti për interesa serbe e greke, gjendja u përkeqësua deri në somalizim, etiopianizim, nigerianizim… dhe kinezërim e kubëzim të nivelit të jetesës. Edhe më rëndë: Enveri arriti t’i hiqte këtij populli trimërinë e besnikërinë dhe i injektoi servilizmin, pabesinë, ligësinë, egoizmin, spiunimin deri edhe brenda rrethit familjar, shoqëror e miqësor…!

Ky investim antishqiptar i Enver Hoxhës ka dhënë fryte, sidomos pas 1990-ës! Edhe më shumë gjatë këtyre 12 viteve të qeverisjes apo mbretërimit nga Edi Rama me shoqe e shokë, me doza të larta partishmërie dhe internacionalizmi ballkanik, proletar e global e të pakta profesionalizmi, përgjegjshmërie, shqiptarie… Në këta 12 vjet, duke zbatuar në mënyrë krijuese teorinë, praktikën, përvojën e Enverit e të enverizmit si dhe të sorosianizmit, “sorosiano-edramistët”, injektuan në këtë popull frikësimin masiv për vendin e punës; blerjen dhe shitjen masive të vetes, dinjitetit, nderit, votës, gocës dhe nuses…! Eliminuan kurajën masive për mendim dhe qëndrim ndryshe! Edhe për të reaguar ndaj “harresës” shumëvjeçare të premtimeve; të lënies si vend e si popull nga 29 nëntori 1944 e deri sot më 28 korrik 2025 për treguesit e zhvillimit, pagave, pensioneve, mirëqenies… të fundit në Evropë e të parët vetëm për të këqija. Lista e të këqijave për të cilat ose jemi “kampionë” ose ndër 10 vendet e para në Evropë e në mbarë botën është e gjatë. Si rrjedhojë edhe e lehtësirave dhe mbështetjes(symbylljes) në porte e dogana e më lart nga Tirana policore, qeveritare e shtetërore qysh nga viti 2015 mafia shqiptare, sipas disa klasifikimeve ndërkombëtare, është bërë e pesta në botë për fuqi financiare dhe ndikim politik e qeverisës.

Ndikimi i saj është vënë re dhe përjetuar deri në futjen e duarve, hundëve, milionave, armëve… në zgjedhjen e presidentëve e të kryeministrave, të ministrave dhe deputetëve në disa vende, si Ekuadori, Kolumbia, Meksika, Hondurazi, Guatemala, Venezuela…! Falë plotfuqizimit të saj me miliarda dhe nga forcat dhe mundësitë për ndikim politik, Shqipëria e këtyre 10 viteve të fundit, “nën hundën e Edi Ramës” ka arsye “të ndjehet krenare e të mburret” edhe për zhvillimin me ritme marramendëse dhe çudi shkaktuese të industrisë së pastrimit të parave të pista nëpërmjet kullave, komplekseve turistike e tregtare, të agjencive të këmbimit valutor, të spitaleve, klinikave, laboratorëve dhe kompanive farmaceutike private. Paradoksalisht apo jashtë logjikës ekonomike, jemi ndër 4 vendet e parë në Evropë edhe për çmimet e larta të shumicës së ushqimeve e të ilaçeve, pjesa më e madhe me përbërës të rrezikshëm, sidomos për tumore kanceroze si dhe me data prodhimi e skadence të ndryshuara disa herë… Radha i vjen korrupsionit dhe formalitetit, si shumëçka në Shqipërinë e epokës Rama, në nivele të paarritshme nga 27 vendet e BE-së. Bile, edhe nga SHBA dhe për t’u pasur zili edhe nga Putini në Rusi, Lukashenko në Bjellorusi, Erdogani në Turqi, Madurro në Venezuelë… e nga tjerë në Afrikë, Azi, Amerikën Latine!

Ndërsa bosët e trafiqeve, oligarkët, shumica e politikanëve, pushtetarëve, deputetëve, kryebashkiakëve multimilionarizohen dhe miliardizohen, shumica e popullit të thjeshtë, edhe nga rritja e çmendur dhe e pafre e çmimeve, varfërohen. Këtë e shpreh edhe ky fakt fare i freskët, i datës 4 gusht 2025, domethënë ndërsa “hapen” kapitujt e fundit të aplikimit për anëtarësim në BE. Sipas këtij informacioni të publikuar në prestigjiozen shqiptare “Monitor”, “Shqipëria zë vendin e fundit mes 35 vendeve europiane sa u përket shpenzimeve për pensione për frymë. Me vetëm 1,600 euro për pensionist në vit, vendi mbetet shumë larg mesatares së Bashkimit Europian, e cila arrin në 16,100 euro (domethënë 10 herë më shumë). Në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, Shqipëria shpenzon vetëm 5.3% për pensione, kundrejt 9.3% që shpenzon mesatarisht BE-ja…”. Falë “qeverisjes mendjehollë dhe largpamëse” të Edi Ramës, Shqipëria e vogël është bërë një vend grumbullimi i madh dhe thuajse falas për plehrat dhe helmet e botës! Edhe për emigrantë afrikanë dhe aziatikë të padëshirueshëm e të rrezikshëm për Giorgia Melonin dhe Italinë e saj, marrëveshje që fatmirësisht u hodh poshtë apo në koshin e plehrave më 31 korrik 2025 nga Gjykata Europiane e Drejtësisë…! Shqipëria e këtyre 12 viteve “meriton” një vend nderi edhe për bujarinë për t’u shitur fare lirë apo për t’u falur copa toke e detesh Shqipërie “miqve” apo “investitorëve strategjikë” shqiptarë dhe ndërkombëtarë, sikur firmosësi t’i kishte me tapi trashëgimi nga gjyshja e gjyshi, nga nëna e babai, nga xhaxhai e daja…!

Në këta 12 vjet jemi të parët në Evropë edhe për emigracion, në moshat 20- 50 vjeç…! Të gjitha këto “suksese” apo “rekorde” kanë ndikuar e sjellë që në këtë vend të ketë gjithnjë e më pak popull dhe Shqipëri! Edhe që të mos ketë qytetarë francezë që djegin Parisin në protestat popullore për rritjen me 10 cent të litrit të karburanteve! Edhe qytetarë e fermerë italianë e grekë që shkatërrojnë Romën e Milanon si dhe Athinën e Selanikun, kur u përkeqësohen të ardhurat, jetesa, interesat dhe liritë themelore qytetare e demokratike… Edhe, qytetarë si në Sri Lanka, Bangladesh, Taxhikistan, që rrëzojnë me protesta dhe vota qeveri të këqija e i zëvendësojnë me më të mira, pa pasur, si shqiptarët, kultin e partive e të kryetarëve të zemrës! Mungesa e popullit, pozitës, opozitës, sindikatave, shtetit ligjor funksional, drejtësisë, demokracisë së vërtetë dhe ambicIet për plotpushtetizim, deri në ndalimin e kritikave e të humorit në adresë të pushtetarëve më të lartë, e kanë trimëruar dhe nxitur Rama-qeverinë deri në sajimin e Kodit të ri Penal, me “erë të rëndë” enverizmi dhe aranitçelaizmi…!? Për më tepër e më keq, pa u konsultuar as me Prokurorinë e Përgjithshme të Shtetit dhe drejtuesin e saj Olsian Çela; as me Kryetarin e Dhomës Kombëtare të Avokatisë, Maksim Haxhiaj; as me aktorë të tjerë të drejtësisë, shoqërisë civile; as me specialistë elitarë të opozitës! As me drejtues e specialistë në Institucionin e Avokatit të Popullit! Edhe më rëndë, as me Zyrën e BE-së në Tiranë!/Gazeta Panorama