“Vota nxirrej nga kutia për t’u verifikuar” – Bardhi publikon video nga Fier: PS ushtroi presion mbi votuesit në Dushk
Deputeti i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka publikuar një tjetër video nga Qendra e Votimit nr. 2817 në Njësinë Administrative Dushk, Bashkia Lushnje, ku akuzon Partinë Socialiste për manipulim të votës.
Sipas Bardhit, komisionerët dhe vëzhguesit e PS ushtronin kontroll mbi votuesit, duke ndjekur nga afër procesin e votimit. Në rastet kur qytetarët votonin të vetëm, pa shoqërues, votat – sipas tij – nxirreshin nga kutia për t’u verifikuar.
Ai e cilëson këtë një “krim të rëndë zgjedhor”, që mbetet pa ndëshkim për shkak të mosreagimit të institucioneve si KQZ, Prokuroria dhe SPAK, të cilat i akuzon për “show politik”.
“Kontrolli i votës ishte mekanizëm kriminal për të mbajtur nën presion çdo qytetar në Fier,” shkruan Bardhi, duke përmendur emrin e Belinda Ballukut si përgjegjëse politike për këtë skemë.
Reagimi i Bardhit:
Episodi 2/ VOTIM I KONTROLLUAR = FARSË ELEKTORALE
Kontrolli i çdo vote të qytetarëve nga komisionerët dhe vëzhguesit e PS ishte mekanizmi kriminal që Belinda Balluku përdori në qarkun Fier për të mbajtur nën presion çdo votues. Nëse ndonjë votues votonte vetëm, i pa shoqëruar, nxirreshin votat nga kutia për të verifikuar mënyrën sesi kanë votuar qytetarët, siç tregojnë edhe këto pamje zyrtare të kamerave të QV-së.
Ky është një krim zgjedhor i rëndë por që mbetet i pandëshkuar, sepse KQZ, Prokuroria e Përgjithshme dhe SPAK, kishin për qëllim përmes Task-Forcës të bënin show dhe jo punën e tyre.
Shqipëria nuk mund të bëjë përpara në procesin e integrimit europian nëse nuk garanton zgjedhje të lira, të drejta dhe të barabarta. Zgjedhjet e 11 Majit nuk përmbushnin asnjë nga këto standarde.
QV 2817, Njësia Administrative Dushk, Bashkia Lushnje