Thu, Aug 7, 2025

“Çuçi ishte caktuar si brigadier! Llaçin do e gatisë Ervin Demua”- Kronika satirike e Gjekmarkajt për lirimin e hapësirave publike: Të gjithë me kombinoshe prisnin në radhë! Një heshtje varri ra kur…

  • PublishedAugust 7, 2025

“Çuçi ishte caktuar si brigadier! Llaçin do e gatisë Ervin Demua”- Kronika satirike e Gjekmarkajt për lirimin e hapësirave publike: Të gjithë me kombinoshe prisnin në radhë! Një heshtje varri ra kur…

NGA AGRON GJEKMARKAJ 

Muaji i aksionit për lirimin e hapësirave publike trazon Kronikën.

Dje Tirana dukej e çuditshme! Në çdo qoshe të saj një befasi të godiste. Në oborrin e brendshëm të Kuvendit ishte vendosur një tendë! Nga afër e kuptoje që ishte një magazinë me vegla pune, lopata, kazma, qyski e shumëçka tjetër.

Kudo dëgjoheshin thirrjet “shpejto-shpejto-shpejto”.

Ministra dhe deputetë të vjetër e të rinj, të gjithë me kombinoshe prisnin në radhë.

Aksioni për lirimin e hapësirave publike ishte marrë seriozisht.

Bledi Çuçi me gjasë ishte caktuar nga Babo si brigadier.

Ai, në vesh, kishte vënë një laps bojëkopjativ dhe në dorë mbante një bllok të OSBE.

Me zë të lartë ftoi të brohorisnin tre herë: urraa urraa, urraa për Babon e më pas këndonte emrat!

— Se mos harroj, — tha, — ti, — bëri me shenjë nga Blendi Klosi, — se dita do jetë me vapë, merr një mushkë e ca gomerë, vrapo sillna ujë kroji të freskët nga Shëngjergji se punëtorët duan të pinë, u thahet gjyryku.

Damua si animator e qefli ahengu i binte fizarmonikës dhe gjithë grupi këndonte “në ara, kantierë, fabrika vlon puna dhe kënga ushton”.

Kostes i ishin besuar dy detyra, ajo e magazinierit dhe e normistit.

Tek dera e kapanonit iu afrua Shalsi, të cilit i dha një kazëm me bisht të gjatë e i tha: kjo të ka hie shumë në dorën tënde, ngjan si violina në atë të Paganinit.

Xhafes dhe komisionit të tij iu la në administrim kovaçhana dhe zdrukthtaria për të latuar qoshet si reformën në drejtësi.

Ogi dhe Evis Kushi po shkruanin mbi një pankartë e cila do të varej tek muri i Ministrisë së Arsimit: “Gushti muaj sulmi, shtator muaj bereqeti”!

Tezja po ashtu, tek këndi i emulacionit, me germa kapitale zoografiste: “Ti shpallim luftë rehatisë personale”. Do qendis tendat e reja , naten do e bej ditë!

Ajo gjithashtu është e gatshme të marrë një komision në vjeshtë nëse  ideja e reformatorit të madh Tao për 12 të tilla realizohet. Vetë Taoja kërkoi me ngulm të shërbente si hidraulik që uji i Babos të shkojë në mulli.

Termeja ngriti dorën dhe u vetëofrua të shtrojë kalldrëmet e prishura. Llaçin do e gatisë Ervin Demua.

Nikoqiri mbi kokë kishte vënë një kapele në formë anije të bërë me gazetë! — Unë do bëj çezma nëpër qytet, — tha, — si tek filmi ‘Zemra që nuk plaken’, kështu do justifikoj detyrën si kryetar i Komisionit të Veprimtarive Prodhuese.

Pirdeni, Lluka, Denis Veliu , Lavdrim Krashi ishin parë duke kaluar qafën e Llogarasë e nuk u shfaqën.

Toni insistoi që në çdo pallat ku hiqeshin tendat të skaliste si Jul Fuçiku citate edukonjëse nga fjalimet e Babos, për selametin, kundër korrupsionit, makutëve, zorzopëve e të tjerë.

Arben Pellumbi rrinte tek kafja përballë, nën hije, si zotëri dhe gjerbte një lëng portokalli me copa akulli, lëshonte një hëmmm të zgjatur dhe herë pas here murmëriste: “Mjaft punove për të tjerët o fatkeq, kujto veten tek lere e tek heq!”.

Vengu po u bënte bisht përgjegjësive, por Çuçi e pa dhe i tha që të marrë një penel tek Kosta dhe të forcojë parullat urdhëruese: “Mos pështyni për tokë”!

Dilua nga Berati solli një zis kooperative që t’a ngarkonte me mushamatë dhe qerestetë e hequra dhe me ato tha: ndërtojmë banesa në Zallher, Zallbastar e kudo që ka zall për deputetët e rinj.

Oltes, meqenëse shquhet për delikatesë dhe shije estetike, iu la kujdesi që të mbjellë lule me porosinë: — Vemendje se ti shkul Blerua kur të numërohen. Gonxhes, si ministër i ardhshëm i Blegtorisë dhe i Ushqimit Social, i taksen të heqë të pabërrat e qenve dhe maceve. Ndonjë sabotim mund të vijë edhe nga Majko me Miminë, ndaj sytë katër, e porositën.

Vari pak turinjtë se ju duk ofendim, por nuk bëzani. Ermua i pëshpëriti tek veshi: “Puna është nder, është më i keq pushimi”

Doktor Llajo propozoi një tip të ri analizash për besnikërinë ndaj Babos, çështjes së partisë dhe të popullit!

Para se të fillojmë, duhet të thërrasim Proden të dalë me dy “Range Rover”-a, pesë makinat e policisë, një flotë nga pas, të trumbë miletin si në sallën VIP të aeroportit me ulërima, dalldi, piskama, hare e rrahagjoksje propozi dikush. Atëherë punojmë të qetë.

Deputetët e rinj morën qyski dhe varre. Bora u bëri me dije që ata për këtë punë do të shërbejnë edhe në vazhdim.

— Dakord-dakord, — u përgjigjën, — por duam edhe të hamë.

Një dorë u ngrit si shenjë nga qielli dhe një zë i qashtër u dëgjua: — Gatuaj unë, do ju bëj ëmbëlsira që të lëpini gishtat, — ishte zysh Tilda. Të gjithë u emocionuan, por edhe u gëzuan që ajo ishte në mesin e tyre për të ushqyer evlterit e Babos e gatshme për të sherbyer, ku me perunjesi priste shtatorin!

Bela u shfaq mbi një makinë të madhe asfaltimi, tip rrul, gjithë hundë e buzë:

— Punoni mirë, — u tha, — se do ju heq bukën e do ju shtoj drurin, qafira se si shumë qënki sterholluar  në plane pa dijeninë time!

Pas saj rrinte Petriti, i cili i nxirrte gjuhën Iglit të angazhuar me një delegacion për urbanistikën nga partia motër e Kinës dhe Ceno Klosi me një sharrë në krah, i cili i binte borisë që të hapej mileti. Mazniku ishte fshehur pas dere.

Eni Xake medoemos donte të fshinte rrugicat nga mbetjet. Vin Hoxha si danoç kishte marrë një autobot për të lagur trotuaret e pluhurosura. Erjon Braçe refuzonte të punonte.

— Jo mi, boll u lodha, në listë të hapur të punojnë këta që e morën qyl. Mua dhe Jorushit na ra bretku.

— Ku është Ulsia, ku është Ulsia që nuk vjen në punë fizike? — një heshtje varri ra!

Dikush tha që ka dashur t’ia heqë vetes qerratai pas kritikave për kodin! Nuk kishte pasur hall për egoizmin personal, por nuk mund të duronte që prej tij Babo të thirrej diktator e tiran, ndaj dorën në allti kishte çuar. Një telefonatë nga Dhërmiu e kishte ndalur hatanë e kthyer gëzimin e jetës.

— Po ç’do fitojmë në fund? — pyeti Xhemal Qefalia.

— Po punuat me djersë çurg dhe gëzim në xhan, jo si te veqelë pazatri, do të shkoni piknik në Rroskovec, por për më të dalluarit vetë Mamica do shpërndajë distinktiva “Shahiret e Babos”, “Sulmues i Rilindjes” dhe atij që do të shquhet në nivelet e heroit të punës socialiste si Din Hyka do ta përqafojë gjatë me ëmbëlsi dhe do t’i çufurisë balluket me dashamirësi, duke i thënë: — Ah, kolopuç, kolopuç, ti po që do ngjitesh lart! — më tahmaqarit  do t’i dhurohet profumi Mamica, i bërë me djerset e rrjedhura  nga emocionet që shkatojnë fjalimet e saj neper Botë!