Thu, Aug 7, 2025

“Reforma s’do të mbarojë deri në largimin e…”, nënkryetari i Bashkisë Tiranë për lirimin e hapësirave: Bizneset kanë marrë masa individualisht

  • PublishedAugust 7, 2025

“Reforma s’do të mbarojë deri në largimin e…”, nënkryetari i Bashkisë Tiranë për lirimin e hapësirave: Bizneset kanë marrë masa individualisht

Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Blendi Sulaj ka inspektuar zonën e njësisë 9 në kryeqytetit për të parë ecurinë e aksionit për lirimin e hapësirave publike.

Nënkryetari deklaroi se Bashkia e Tiranës është e angazhuar që të gjitha sipërfaqet publike të cilat janë zënë në kundërshtim me ligjin nga bizneset apo të tjerë, t’u rikthehen qytetarëve.

“Sot jemi në zonën e “Don Boskos”, në njësinë administrative nr. 9, ku vihet re që qytetarët kanë marrë masa, bizneset kanë marrë masa individualisht, për të larguar platformat që kanë zënë sipërfaqe publike, por ka edhe raste të tjera që janë pak me shumicë, që akoma nuk po e kuptojnë që kjo është një reformë që ka filluar dhe nuk ka për të mbaruar deri në largimin e platformave të fundit, që këto sipërfaqe publike t’u kthehen qytetarëve”, u shpreh Sulaj.

Gjatë inspektimit të një hapësire publike të shndërruar në parkim makinash, nënkryetari Sulaj tha se do merren masat e duhura për raste të tilla abuzive.

“Ky është një ndër qindra rastet abuzive që janë në Tiranë, por që në të gjithë sipërfaqen e madhe që është zënë vetëm nga ky tra këtu, për të përfituar disa dhe jo për të përfituar të gjithë qytetarët si një hapësirë publike. Mendoj që sot IMT, Policia Bashkiake, do marrin masat e duhura, që brenda kësaj jave të mos kemi më këtë tra dhe kjo sipërfaqe e madhe t’u kthehet në shërbim qytetarëve të Tiranës dhe njësisë 9.”

Nga ana e tij drejtori i Kontrollit të Territorit në IMT, Klajdi Meçi u shpreh: “Jemi në njësinë nr. 9, në zonën me densitetin më të lartë të ndërtimeve dhe me numrin më të lartë të sipërfaqes së zënë, të hapësirës publike. Nga ana jonë është bërë identifikimi, është njoftuar në afat, kemi lënë një afat një javor për çmontim vullnetar. Shumica e tyre nuk është përgjigjur pozitivisht, kështu që nga ana jonë do të fillojmë nga sot të marrim masa, nga procedura administrative që do shoqërohen me vendim gjobe dhe prishje”.