Thu, Aug 7, 2025

U arrestua me urdhër të SPAK më 14 Dhjetor të 2021-it, ish-ministri Lefter Koka lë për pak orë qelinë

  • PublishedAugust 7, 2025

U arrestua me urdhër të SPAK më 14 Dhjetor të 2021-it, ish-ministri Lefter Koka lë për pak orë qelinë

Ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka ka lënë përkohësisht qelinë në burgun i Durrësit ditën e sotme (7 Gusht).

Ish-ministrit iu është miratuar nga Drejtoria e Burgjeve leje e kufizuar që zgjat nga ora 11:00 deri në orën 17.00.

Mësohet se Lefter Kokës iu është dhënë leje për shkak se nëna e tij, e moshës 91-vjeçe, është sëmurë dhe më pas do të rikthehet sërish në burg.

Burimet pranë familjes thonë se nëna e moshuar ka kërkuar pranë të birin për ta parë.

Ai është arrestuar me urdhër të SPAK më 14 Dhjetor 2021 pas kallëzimit të bërë në atë kohë nga LSI për aferën e inceneratorëve.

Gjykata e Posaçme me një vendim të datës 16 Prill dënoi me 3 vite burg ish-ministrin Lefter Koka për inceneratorin e Tiranës, por për shkak të gjykimit të shkurtuar masa e sigurisë iu shua.

Kujtojmë që për inceneratorin e Fierit, ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka është dënuar me 10 vite burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar iu zbrit në 6.8 vite qëndrim pas hekurave.

Për inceneratorin e Elbasanit, ish-ministri Koka u dënua me 10 vite burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar do të kryejë 6.8 burg edhe për këtë çështje.

Lefter Koka ka shërbyer si ministër i Mjedisit në qeverinë “Rama” përgjatë viteve 2013-2017 dhe më pas ka qenë deputet deri në vitin 2021.

Kujtojmë që Lefter Koka u rizgjodh deputet i qarkut të Durrësit në zgjedhjet e 25 prillit, por hoqi dorë nga mandati.