U hodh nga shkëmbi në Gjirin e Gramës, 12-vjeçari lëndohet në kokë! Transportohet me urgjencë në spital
Një pushim veror përfundoi me emergjencë mjekësore për një 12-vjeçar të huaj, i cili u hodh nga një shkëmb i lartë në det në Gjirin e Gramës, duke pësuar dëmtime në kokë.
Ngjarja ndodhi gjatë ditës së sotme, kur Policia Kufitare Dhërmi u njoftua për rastin dhe reagoi menjëherë. Në bashkëpunim me ekipin e urgjencës, një mjet lundrues transportoi mjekët në vendngjarje, ku fëmijës iu dha ndihma e parë.
I mituri, i shoqëruar nga prindërit, u dërgua më pas në spital, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Policia Kufitare apelon për kujdes maksimal në zona të izoluara si Gjiri i Gramës, ku mungon sinjali celular dhe ndërhyrja në raste urgjente mund të vonohet. Rekomandohet të shmangen hedhjet nga shkëmbinjtë dhe veprimet e rrezikshme që mund të rrezikojnë jetën.