Ursula von der Leyen: Izraeli të rishqyrtojë operacionet në Gaza
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, i ka bërë thirrje Izraelit që të rishqyrtojë vendimin për zgjerimin e operacioneve ushtarake në Rripin e Gazës, duke theksuar nevojën urgjente për një armëpushim dhe qasje të papenguar të ndihmës humanitare në zonë.
“Të gjithë pengjet që mbahen në kushte çnjerëzore duhet të lirohen. Ndihma humanitare duhet të ketë qasje të menjëhershme dhe të papenguar në Gaza për të ofruar atë që nevojitet urgjentisht në terren,” – u shpreh ajo.
“Një armëpushim është i nevojshëm tani.”
Deklarata e saj vjen në një moment tensionesh të larta ndërkombëtare, pas njoftimit të Izraelit për zgjerimin e operacioneve në Gaza – një vendim që ka nxitur shqetësime diplomatike dhe humanitare në mbarë botën.
Ndërkohë, Gjermania ka pezulluar eksportet e pajisjeve ushtarake drejt Izraelit që mund të përdoren në Gaza, deri në një vendim të dytë. Kancelari Friedrich Merz e cilësoi këtë një përgjigje ndaj planit izraelit për përshkallëzim të operacioneve, duke theksuar se qëllimi është nxitja e një kthese drejt paqes.
“Lirimi i pengjeve izraelite dhe negociatat për armëpushim janë prioritetet tona kryesore,” – deklaroi Merz, duke shprehur shqetësim për vuajtjet e civilëve palestinezë në konfliktin që ka hyrë në muajin e dhjetë.
