Sat, Aug 9, 2025

“Ambientet tona janë zaptuar në mënyrë arbitrare nga Ardi Veliu”- Reagon administratori i “Panorama Group”: Kemi zbatuar detyrimet ligjore, kemi kontrate qiraje deri në vitin 2033

  • PublishedAugust 9, 2025

“Ambientet tona janë zaptuar në mënyrë arbitrare nga Ardi Veliu”- Reagon administratori i “Panorama Group”: Kemi zbatuar detyrimet ligjore, kemi kontrate qiraje deri në vitin 2033

Shoqëria “Panorama Group” sh.a. ka reaguar sot ndaj bllokimit dhe ndërprerjes së aktivitetit mediatik, duke e cilësuar këtë si një ndërhyrje arbitrare dhe të paligjshme në lirinë e medias në Shqipëri.

Në një deklaratë zyrtare për mediat, “Panorama Group”, përmes administratorit Kino Buxheli njofton se ambientet e saj, ku përfshihen Panorama TV, Gazeta Panorama, Panorama Sport dhe Panorama janë bllokuar në orët e para të mëngjesit dhe u është ndërprerë furnizimi me energji elektrike, në shkelje flagrante të ligjit.

Sipas tij janë respektuar të gjitha detyrimet kontraktuale ndaj Bashkisë së Tiranës dhe zotërojnë një kontratë qiraje të vlefshme deri në vitin 2033, e nënshkruar me ish-Ministrinë e Ekonomisë. Çdo veprim për prishjen e kësaj kontrate pa vendim gjykate është i paligjshëm.

Deklarata e plotë

Sot, në orët e para të mëngjesit, ambientet e Shoqërisë “Panorama Group” sh.a. (Panorama TV, Gazeta Panorama, Panorama Sport dhe Panorama) janë bllokuar dhe i është ndërprerë furnizimi me energji elektrike, në shkelje flagrante të ligjit.

“Panorama Group” sh.a. ka respektuar në mënyrë të përpiktë të gjitha detyrimet kontraktuale ndaj Bashkisë së Tiranës dhe zotëron një kontratë qiraje të nënshkruar me ish-Ministrinë e Ekonomisë, e vlefshme deri në vitin 2033. Çdo veprim për prishjen e kësaj kontrate pa vendim gjykate është i paligjshëm.

Megjithatë, ambientet tona janë zaptuar në mënyrë arbitrare nga z. Ardi Veliu- shoqëria “Kayo” sh.a dhe policia, duke shkelur të drejtat kontraktuale dhe ligjore të “Panorama Group” sh.a. Vendimi i Këshillit të Ministrave, ku z. Veliu pretendon të mbështetet, nuk përfshin godinën ku ushtron aktivitetin “Panorama Group” sh.a. dhe kjo pronë nuk ka kaluar kurrë në pronësi të “Kayo” sh.a.

Ky akt përbën ndërhyrje të paprecedentë në lirinë e medias, duke bllokuar transmetimin e Panorama TV, Gazetës Panorama dhe Panorama Sport, si dhe duke penguar gazetarët tanë të hyjnë në ambientet e tyre të punës. Si pasojë, pasqyrimi i lajmeve penguar dhe pajisjet tona teknike rrezikohen nga mungesa e energjise elektrike.

“Panorama Group” sh.a. dënon ashpër këtë veprim arbitrar dhe i bën thirrje autoriteteve shtetërore të ndërpresin menjëherë çdo veprim të paligjshëm, të rivendosin të drejtën e ushtrimit të veprimtarisë sonë mediatike dhe të garantojnë respektimin e Kushtetutës së Shqipërisë, e cila garanton lirinë e medias.