Egnatia në tre ndeshje, një “mur” i pakalueshëm
Egnatia e këtij sezoni ka marrë përsipër një mision të madh. Të shkruajë një kapitull të ri në historinë e saj europiane.
Dhe deri tani, ky mision po realizohet jo vetëm me rezultate, por edhe me mënyrën se si po arrihen ato. Sekreti i suksesit? Një mbrojtje që po shndërrohet në armën më të fuqishme të rrogozhinasve. Barazimi 0-0 në transfertë përballë Olimpija Ljubljanës jo vetëm që e la gjithçka të hapur për ndeshjen e kthimit, por vulosi edhe një herë faktin se prapavija e drejtuar nga Tetova po tregohet e pathyeshme. Gjithsesi, janë së paku edhe 90-të minuta për t’u luajtur dhe parë nëse ëndrra do të vazhdojë apo do të ndërpritet në mes.
KATËR NDESHJE PA PËSUAR – Pesë ndeshje të luajtura në kupat e Europës dhe katër prej tyre pa asnjë gol të pësuar. Kjo është statistika që flet më shumë se çdo koment tjetër për ndryshimin e madh që ka pësuar Egnatia në këtë sezon. Fitorja 1-0 ndaj Breidablikut në “Arena Egnatia” ishte oguri i parë se skuadra kishte gjetur ekuilibrin e duhur. Më pas erdhën dy përballje perfekte me Dinamo Minskun, 2-0 në transfertë dhe 1-0 në Rrogozhinë, që e çuan Egnatian në një nivel tjetër besimi dhe sigurie. Barazimi i fundit në Slloveni konfirmoi se ky nuk është thjesht një moment i mirë, por një strategji e qartë loje, ku çdo lojtar kontribuon në fazën mbrojtëse. Nga portieri Dajsinani, që ka qenë i saktë në çdo dalje, te qendërmbrojtësit që po fitojnë duelet ajrore e deri te mesfusha që po mbyll hapësirat, Egnatia po krijon një “mur” që deri tani pak skuadra kanë mundur ta thyejnë.
E VETMJA “PLAGË”, ISLANDA –Megjithatë, nuk mund të harrohet nata e vështirë në Islandë përballë Breidablikut, ku Egnatia pësoi plot 5 gola. Ajo sfidë, e humbur 5-0, ishte një shembull i asaj që ndodh kur përqendrimi bie dhe ekipi i lë hapësira pas. Mbrojtja thuajse nuk ekzistoi dhe kundërshtari shfrytëzoi çdo dobësi për ta ndëshkuar. Por, ajo humbje rezultoi të ishte edhe pika e kthesës. Që nga ajo mbrëmje, skuadra nuk ka pësuar më asnjë gol në tre ndeshje radhazi europiane. Ky reagim tregon jo vetëm forcën psikologjike të lojtarëve, por edhe punën e stafit teknik për të rregulluar menjëherë problemet. Nga një mbrojtje e shpërbërë, Egnatia u shndërrua në një skuadër që nuk i lejon kundërshtarëve as hapësirën më të vogël për të rrezikuar.
SYNIMI, “PLAY-OFF”-I – Tani objektivi është i qartë. Ta ruajnë këtë soliditet edhe në ndeshjen e kthimit ndaj Olimpijas në “Arena Egnatia”. Stadiumi i Rrogozhinës pritet të jetë plot, dhe atmosfera e krijuar nga tifozët mund të jetë arma shtesë që i duhet skuadrës për të bërë hapin historik drejt “play-off”-it” të Ligës së Konferencës. Një tjetër 90-minutësh pa pësuar gol do të thotë jo vetëm vazhdim i ecurisë perfekte në mbrojtje, por edhe një mundësi reale për të mbyllur historinë me kualifikim. Për Egnatian, rruga drejt ëndrrës europiane kalon nga një mur i hekurt në prapavijë dhe deri më tani, ky mur nuk po shembet.