“Kambanë alarmi për lirinë e fjalës”- Agim Baçi pas rrethimit të News24: Asnjë justifikim për pengimin e gazetarëve
Gazetari dhe analisti Agim Baçi ka reaguar pas ndërhyrjes së policisë në ambientet e Focus Media Group, ku u rrethua godina e News24, u ndërpre sinjali i transmetimit dhe gazetarët e BalkanWeb e Panorama u penguan të ushtronin profesionin.
Baçi e cilësoi ngjarjen si një “demonstrim të hapur force” nga pushteti kundrejt lirisë së informimit dhe medias, duke theksuar se asnjë kontratë nuk mund të jetë më e rëndësishme se e drejta për informim dhe fjala e lirë.
“Sot kemi një akt që nuk është vetëm sulm ndaj gazetarëve, por një kambanë alarmi për çdo qytetar që beson se Liria e Fjalës është themel i demokracisë, i së Vërtetës dhe së Drejtës,” u shpreh ai.
Reagimi:
Rrethimi me policë dhe ndërprerja e sinjalit të transmetimit të News24, si dhe pengimi i gazetarëve të Balkanweb e Panorama për të ushtruar profesionin e tyre, është një akt që shënon në mënyrë të hapur një demonstrim force nga pushteti kundrejt informimit, fjalës dhe lirisë së medias.
Asnjë hap në kurriz të cenimit të punës së gazetarëve, që çon në cënimin e lirisë së fjalës dhe të ushtrimit të informimit publik, nuk mund të justifikohet nga institucionet shtetërore, pasi asnjë kontratë nuk mund të jetë më e rëndësishme se sa e drejta për informim, se sa liria e fjalës.
Akti i sotëm i rrethimit të News24 nuk është më tashmë vetëm demonstrim force dhe cënim ndaj punës së gazetarëve, por është edhe një kambanë ndaj çdo qytetari që beson se Liria e Fjalës është e shenjtë për ruajtjen e demokracisë, për të Vërtetën dhe të Drejtën.