“News24 u gdhi nën rrethim policor” – Ferdinand Dervishi: Pse ky ngut, pse kjo dhunë me shije terrori?
Gazetari Ferdinand Dervishi ka reaguar pas ndërprerjes së sinjalit të News24 dhe rrethimit të godinës nga policia që në orët e para të mëngjesit. Ai ngre pikëpyetje mbi mënyrën e veprimit të autoriteteve, duke e krahasuar me “mentalitetin e terroristit” që synon të përçojë frikë masive.
Sipas Dervishit, vendimi gjyqësor që njeh pronësinë e godinës Bashkisë së Tiranës është marrë tre javë më parë, por televizioni duhet të kishte muaj kohë për t’u zhvendosur. “Pse ky ngut, pse kaq dhunshëm, pse me panoramë e shije terrori?”, pyet ai.
Gazetari paralajmëron se kjo është një goditje që shkon përtej News24, duke synuar të trembë çdo media kritike ndaj pushtetit:
“Është mentalitet i njëjtë me atë të terroristit që vendos eksploziv për të bërë zhurmë, për të shpërndarë mesazhin e forcës dhe frikës në maksimum.”
https://www.facebook.com/share/v/1C9UEEjX7r/?mibextid=wwXIfr
Reagimi i plotë:
Pse ka lidhje me terrorin dhuna ndaj News 24 ?
Sot televizioni News 24, i treti më i madh në vend, u gdhi nën rrethim policor, u penguan gazetarët të shkonin në vendet e punës, u ndërpre sinjali i transmetimit.
Një vendim gjyqësor i 3 javëve më parë i ka njohur pronën e godinave, mbase edhe të truallit, Bashkisë së Tiranës.
Logjikisht, pas vendimit të formës së prerë të gjykatës, një televizioni i duhen, jo 3 javë, por 3, apo më tepër muaj kohë, që të zhvendoset në një ambient tjetër.
Pra pikëpyetjet më të mëdha për mua janë: përse po veprohet me kaq ngut, përse kaq dhunshëm, përse me panoramë e shije terrori? Kujt i intereson/pëlqen, kush kënaqet/masturbohet etj nga e gjitha kjo?
Përse po merret përsipër risku i dhunës dhe terrorit ndaj mediave në një vend që ka shumë probleme pikërisht me lirinë e medias?
Gjithë sa po ndodh për mua ka lidhje me psikologji diktatorësh e terroristësh, të cilët shohin te veprimet e dhunshme goditje hakmarrëse që, më tepër se kundër televizionit News 24, tentojnë të dhunojnë dhe terrorizojnë gjithë mediat dhe gazetarët kritikë ndaj shtetit që tashmë drejtohet nga pushteti i një njeriu të vetëm.
Është mentalitet i njëjtë me atë të terroristit. I cili nuk preferon të qëllojë me snajper apo kallash, por të vendosë eksploziv.
Sepse shpërthimet bëjnë shumë zhurmë duke shkaktuar panik në një numër të madh njerëzish, duke përcjellë mesazhin e forcës, dhunës dhe terrorit në maksimumin e mundshëm.