Të vetmit në Mesdhe: Peshkimi pa ndërprerje në Shqipëri rrezikon rezervat detare

Anijet në kalatat e portit të peshkimit në Durrës po bëhen gati për të dalë sërish në det. Edhe pse muaji gusht ka nisur, askush nuk i ka ndaluar motopeshkatoret të dalin në gjueti në bregdetin shqiptar — në kontrast të plotë me vendet fqinje të Mesdheut, ku motorët qëndrojnë të fikur.
“Italia, Kroacia, Greqia, Sllovenia dhe Mali i Zi, secila në mënyrën e vet, japin shembullin se rezervat e peshkut duhen ruajtur dhe shumuar,” – tha për BIRN Avni Sabahu, një peshkatar me rreth 40 vjet përvojë.
Sabahu ka vizituar një pjesë të mirë të porteve të rajonit, ku peshkatarët financohen nga shteti gjatë periudhave të “pushimit biologjik”, kur ndalohet dalja në det.
“Në periudhën e shumimit biologjik, në verë kur peshqit lëshojnë vezët, në këto vende ndalohet peshkimi. Gjatë kësaj kohe, personeli i anijeve kryen mirëmbajtje dhe riparime të mjeteve, ndërsa paguhet nga shteti,” – shton ai.
Në Shqipëri, kjo politikë mungon.
“Pengesa kryesore në vendin tonë është mungesa e kompensimeve financiare për peshkatarët gjatë ‘pushimit biologjik’,” – tha për BIRN Jerina Kolitari, asistente profesore dhe eksperte në peshkim, akuakulturë dhe mjedis.
Sipas saj, “pushimi biologjik” është një ndalesë e përkohshme që ndihmon mbrojtjen e burimeve detare dhe garanton qëndrueshmëri në të ardhmen. “Motopeshkatoret tona peshkojnë pa ndërprerje gjatë gjithë vitit, dhe si pasojë, rezervat peshkore janë në rënie,” – shton ajo.

Të dhënat e Ministrisë së Bujqësisë konfirmojnë këtë: nga 5,192 tonë rezerva peshkore në vitin 2021, në vitin 2025 ato kanë rënë në 3,860 tonë.
Veliu, një nga ish-drejtuesit e Organizatës së Menaxhimit të Peshkimit (OMP) në Durrës që kërkoi të mos i publikohej mbiemri, tha se që nga themelimi i saj në vitin 2012, kjo organizatë ka kërkuar rregullisht zbatimin e “pushimit biologjik”, si në vendet e tjera të rajonit.
Por, sipas tij, mungesa e financimit për personelin e anijeve dhe sektorët ndihmës ka penguar çdo përpjekje për ta vënë atë në zbatim. “Sektori i peshkimit nuk financohet nga buxheti i shtetit,” – shton ai.
Në portin e Durrësit janë të ankoruara rreth 120 anije peshkimi, prej të cilave rreth 40 nuk janë aktive. Në vendet e tjera, këto mjete janë nxjerrë jashtë përdorimit përmes blerjes së tyre nga shteti – një masë që nuk zbatohet në Shqipëri për shkak të mungesës së fondeve.
Zyrtarisht, në një brez tre milje nga bregu është e ndaluar të peshkohet gjatë gjithë vitit. Në dispeçerin e portit të Durrësit thuhet se monitorimi është i vazhdueshëm dhe shkelësit gjobiten, por kjo nuk mjafton. Tralet me rrjeta të imta vazhdojnë të shkatërrojnë edhe zonat përtej brezit të ndaluar.
“Peshqit janë zvogëluar në sasi dhe madhësi. Rrjetat me sy të vogël kapin edhe individët e pamaturuar,” – paralajmëron Kolitari.
Ndërkohë, edhe sektori i turizmit është ndërgjegjësuar për rëndësinë e një ndërprerjeje të përkohshme të peshkimit gjatë verës.
“E kuptojmë që rezervat e peshkut duhet të mbrohen dhe se peshkatarët duhet të respektojnë ciklet e shumimit të barbunit, merlucit, sepjes, etj. Është një e mirë për të gjithë,” – tha Agron Braho, menaxher i një restoranti në shëtitoren bregdetare të Durrësit.