Sun, Aug 10, 2025

Analiza/ Në prag të një errësire mediatike, heqja e sinjalit të News24 goditje e hapur ndaj lirisë së medias

  • PublishedAugust 10, 2025

Analiza/ Në prag të një errësire mediatike, heqja e sinjalit të News24 goditje e hapur ndaj lirisë së medias

Nga Ardian Bushi

Autor i emisionit Vetting

Nga fjala e fundit para pushkatimit, te heshtja e imponuar dje Shqipëria në prag të një errësire mediatike.

Ngjarja e djeshme një goditje e hapur ndaj lirisë së medias

Dje, Shqipëria pa një skenë që do mbetet gjatë në kujtesën e atyre që besojnë tek fjala e lirë. Gazetarët e News24, një nga zërat më të qëndrueshëm të informacionit publik, u goditën pa paralajmërim. Sinjali televiziv u ndërpre. Zërat e tyre u shuan. Ekranet u errësuan jo nga mungesa e energjisë, por nga një urdhër politik i shoqëruar me presion policor.

Ky nuk ishte një veprim teknik. Ishte një mesazh i drejtpërdrejtë: kush guxon të flasë, do të heshtet. Në vend që shteti të ballafaqohej me pyetjet e medias, zgjodhi ta mbyllte atë.

Kur edhe në kohë më të errëta fjala nuk u mbyll

Në kohën e Mbretit Zog

Edhe pse shteti kishte kontroll të madh mbi informacionin, nuk pati raste ku transmetimi i një mediaje të ndërpritej në këtë mënyrë. Madje, ata që dënoheshin me vdekje, para pushkatimit, pyeteshin: “Çfarë do të thoni për herë të fundit?” – një akt minimal respekti ndaj dinjitetit të fjalës.

Gjatë pushtimit fashist e nazist

Tradita vazhdoi. Edhe ata që konsideroheshin armiq të regjimit, para se të pushkatoheshin, lejoheshin të shprehnin fjalën e fundit. Oficerët dëgjonin, pastaj shtinin. Fjala, edhe kur nuk ndryshonte fatin, nuk hiqej.

Në diktaturën komuniste

Periudha më e ashpër e shtypjes në Shqipëri. Media ishte e kontrolluar, propagandistike dhe e censuruar, por nuk pati ndërprerje të menjëhershme të transmetimeve të saj publike në këtë mënyrë. Edhe kur ndodhnin ekzekutime, në shumë raste dënoheshit dëgjoheshin para breshërisë së plumbave.

Dje një precedent i rrezikshëm në demokraci

Në vitin 2025, në një vend që pretendon të jetë pjesë e botës demokratike dhe që kërkon anëtarësimin në Bashkimin Europian, pamë një veprim që do të ishte skandal edhe në një regjim gjysmë-autoritar.

Pa prova, pa vendim gjykate, pa proces transparent, shteti përdori policinë dhe urdhra të errët për të mbyllur një media. U pre sinjali i transmetimit dhe u hodhën gazetarët në rrugë. Ata nuk morën mundësinë të thonë as “fjalën e fundit”. Heshtja iu imponua në mes të fjalës.

Simbolika e errësirës

Kur një ekran errësohet, nuk errësohet vetëm një program. Errësohet një hapësirë e tërë komunikimi publik. U shua një dritare ku qytetarët mund të shihnin dhe dëgjonin atë që pushteti nuk dëshiron të dëgjohet.

Në këtë rast, heshtja e detyruar nuk ishte një veprim i izoluar teknik – ishte një akt politik. Dhe mesazhi ishte i qartë: nuk ka më hapësirë për fjalë të pakëndshme.

Pasojat për demokracinë

Një demokraci pa media të lirë është një trup pa sy e pa veshë.

Sot është News24. Nesër mund të jetë çdo tjetër zë kritik.

Nëse pranojmë mbylljen e një mediaje pa asnjë procedurë ligjore, pranojmë që nesër të mbyllet çdo zë kundërshtues, çdo fjalë që nuk i shërben pushtetit.

Ky është hapi i parë drejt një realiteti ku lajmet nuk pasqyrojnë më të vërtetën, por vetëm versionin zyrtar të saj.

Thirrje për reagim

Heshtja sot është bashkëfajësi. Çdo gazetar, çdo redaksi, çdo qytetar që beson tek fjala e lirë, duhet të reagojë. Historia e Shqipërisë ka treguar se kur pushteti fillon të mbyllë zërat, e bën gjithnjë e më shpejt, derisa të mbetet vetëm një kor monoton miratues.

Nëse nuk ngrihemi sot, nesër nuk do të kemi as mundësinë të dëgjojmë, e aq më pak të flasim