Sun, Aug 10, 2025

Fikja e sinjalit të News24, gazetari Gjergj Erebara shtron pyetjen: Pse pikërisht ky televizion? Kayo le të shkojë te ish-Kinostudio

  • PublishedAugust 10, 2025

Fikja e sinjalit të News24, gazetari Gjergj Erebara shtron pyetjen: Pse pikërisht ky televizion? Kayo le të shkojë te ish-Kinostudio

Gazetari dhe analisti, Gjergj Erebara, ka reaguar mbi vendimin për zhvendosjen e televizionit News24 nga ambientet ku zhvillon aktivitetin prej vitesh, për t’ia lënë hapësirën kompanisë Kayo për prodhim municionesh.

Erebara thekson se nga 12 televizionet kryesore të vendit, gjashtë prej tyre, përfshirë News24 ushtrojnë aktivitetin në mjedise publike të marra me qira afatgjatë, ndërsa një tjetër ka funksionuar deri para pak vitesh në ambiente të ngjashme. Katër prej tyre operojnë nga ish-ambientet e Kinostudios, ndërsa një tjetër ka qenë aty për shumë vite përpara se të zhvendosej sërish në hapësira publike.

Sipas tij, kontratat e qirasë për këto ambiente publike janë firmosur që në fillim të viteve 2000 nga ministra socialistë.

“Dikush duhet të na shpjegojë se me çfarë metodologjie shkencore u vendos që ishin mjediset e News24 ato që i duheshin kompanisë Kayo dhe jo, për shembull, ato të ndonjë televizioni tjetër. Personalisht mendoj se Kayo duhet të shkojë te ish-Kinostudio, sepse maksimumi që do të prodhojë do të jenë disa filma të dobët me partizanë, policë e ushtarë. Për armë e municione është më mirë t’ia lëmë aleatëve,” shkruan Erebara.

Reagimi:

Çdo vit bëj një analizë të tregut të televizioneve ku përfshihen 12 televizionet kryesore të vendit. Nga këto, gjashtë, (përfshirë News 24) kryejnë aktivitetin kryesor nga mjedise në pronësi publike të marra me qira afatgjatë. Një i shtatë ka punuar deri para pak vitesh gjithashtu nga zyra të marra me qira nga shteti. Nga të pestë që mbeten, katër janë themeluar gjatë viteve të fundit kur ngrehinat e kohës së komunizmit ose janë zënë sakaq më herët ose janë amortizuar aq sa të mos ia vlejë. Kontratat e qirasë janë firmosur nga fillimi i viteve 2000 nga ministra socialistë.

Katët nga televizionet punojnë nga mjediset e ish-Kinostudios. Një punoi për shumë vite nga aty pastaj së fundmi u zhvendos në një mjedis tjetër, gjithashtu publik.

Tani dikush duhet të na shpjegojë se me çfarë metodologjie shkencore grupi i punës caktoi se ishin mjediset e News 24 ato që i nevojiten kompanisë Kayo për prodhim municionesh dhe jo, fjala vjen, mjediset e ndonjë prej televizioneve të tjera. Personalisht mendoj se Kayo duhet të dërgohet te ish-Kinostudio sepse maksimumi që do të prodhojë do të jenë ca filma të dobët me partizanë, policë e ushtarë se për armë e municione, këto është mirë t’ia besojmë aleatëve.